
Kryeministri Edi Rama hapi zyrtarisht sezonin turistik veror në brigjet e Jonit, gjatë një aktiviteti në Himarë, ku ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku Vangjel Tavo.
Duke lënë mënjanë retorikën e fushatës, Rama u paraqit si kryeministër dhe e nisi fjalimin me tone humoristike.
Ai bëri batuta për kujdesin dhe përpikmërinë e Tavos, duke ia atribuar këto cilësi origjinës së tij nga Gjirokastra.
“E patë vetë ju sa fort e kishte lidhur atë fjalimin te dosja. Aq fort e kishte lidhur sa nuk shkëpuste dot fletët nga njëra-tjetra, se do t’i kontrollojë gjithë gjërat, se vjen nga një territor tjetër. Aty ku thonë që edhe ato dhomat për zairet, ato pjesët e gurta, janë shpikur për të mos vënë frigorifer, sepse nuk dihet a harxhon drita frigoriferi kur rri i mbyllur.”-tha Rama.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri ka bërë batuta edhe për kryetarin e Bashkisë së Korfuzit, duke e përshëndetur në gjuhën greke. Rama, mes batutash, tha se Korfuzi për të mban numrin 1.
“Efkaristo parapoli, deri këtu jam unë. Se di dhe një ‘s’agapo’ tjetër, po s’duhet të ta them ty se nuk shkon. S’agapo poli Korfuzi, Korfuzi number one.” – tha Rama.