Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi i Kosovës dështon sërish të votojë kryeparlamentarin, opozita refuzon komisionin për votim të fshehtë


Për të dytën herë radhazi, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritën të bien dakord për krijimin e komisionit ad-hoc që do të mundësonte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.

Seanca konstituive do të vijojë të hënën, më 5 maj, në orën 10:00.

Në këtë vazhdim të dhjetë të seancës, partitë opozitare – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – refuzuan të propozojnë përfaqësues për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë, duke kundërshtuar mënyrën se si po procedon Lëvizja Vetëvendosje.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, e cilësoi si jokushtetues procesin e votimit të fshehtë të nisur nga LVV, duke akuzuar partinë në pushtet për “mbajtje të shtetit peng” dhe “mentalitet diktati”. Sipas tij, Albin Kurti nuk ka mbështetjen e nevojshme për t’u rizgjedhur kryeministër dhe po tenton të ruajë kontrollin institucional përmes manovrave procedurale.

Kritika të ngjashme dhanë edhe deputetët e LDK-së dhe AAK-së. Hykmete Bajrami e LDK-së theksoi se ndryshimi i mënyrës së votimit në mes të procesit është jokushtetues dhe përsëriti se partia e saj nuk mbështet kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare parlamenti. “Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit duhet të vijë si rezultat i një marrëveshjeje politike,” tha ajo.

Edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e quajti të paligjshëm ndryshimin e procedurës së votimit dhe akuzoi LVV-në për përdorimin e taktikave që, sipas saj, synojnë të shmangin një tjetër dështim të Albulena Haxhiut për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit.

Opozita mbetet e palëkundur në kërkesën që LVV të ndryshojë kandidaturën për këtë post, ndërsa bllokimi institucional vazhdon.