Vendosni fjalën kyçe....

Anijet energjitike – Balluku shmang komentet për gazetaren e Piranjave


Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka refuzuar të japë përgjigje për një nga skandalet më të mëdha energjetike të viteve të fundit, që ka në qendër dy anije gjeneratorë të ardhura nga Bangladeshi dhe të njohura si Tigri 1 dhe Tigri 3. Pavarësisht përmasës së skandalit dhe pyetjeve të shumta të ngritura nga gazetarët e Piranjave, Balluku nuk ka dhënë asnjë shpjegim për mënyrën se si janë shpërdoruar dhjetëra miliona dollarë nga buxheti i shtetit.

Skandali nis me faktin se anijet janë blerë për vetëm 15 milionë dollarë nga një kompani offshore e quajtur Excelerate Energy Limited Partnership, por janë marrë me qira nga KESH për plot 45.5 milionë dollarë – trefishi i çmimit të blerjes. Por nuk mbaron me kaq: për operimin e anijeve, një tjetër kontratë i është dhënë kompanisë Renco për 22.5 milionë dollarë të tjera, duke e çuar totalin në 68 milionë dollarë të paguar nga taksat e shqiptarëve.

Një tender emergjent është zhvilluar, megjithëse nuk dihej se kur do të mbërrinte malli. Kompania që ka fituar tenderin, ndonëse në dokumente paraqitet me logon e Excelerate Energy, rezulton të jetë një entitet tjetër me bazë në parajsën fiskale të Delaware, që ruan anonimatin e pronarëve të saj. Emrat dhe firmat në dokumente përfshijnë të paktën tre kompani të ndryshme me emra të ngjashëm, por me status juridik dhe seli të ndryshme, duke ngritur dyshime serioze për mashtrim dhe manipulim të tenderit publik.

Gjithashtu, ndotja mjedisore që shkaktojnë këto TEC-e lundruese është masive. Kapaciteti i tyre është 114 megavat/orë dhe ato konsumojnë rreth 500 ton mazut në ditë. Sipas një raporti të KLSH, kostoja për një megavat/orë energji të prodhuar nga këto anije është 268 euro – katër herë më shumë se blerja në tregjet e importit. Megjithatë, KESH ka marrë përsipër edhe kostot shtesë për zhdoganimin, vajin lubrifikues dhe marrjen me qira të depozitave të mazutit, duke çuar totalin e shpenzimeve në mbi 77 milionë euro.

Përballë këtyre fakteve, ministrja Balluku ka zgjedhur të heshtë. Në emisionin investigativ Piranjat, ajo nuk dha asnjë përgjigje për pyetjet që lidhen me këtë aferë që rëndon mbi financat publike dhe ndot mjedisin në një zonë të mbrojtur si gjiri i Vlorës.

Në mungesë të përgjigjeve nga qeveria, vëmendja tani është e përqendruar te drejtësia. SPAK ka konfirmuar se ka nisur hetimet për këtë çështje, duke hapur një dosje që mund të zbulojë lidhjet politike dhe financiare pas këtij rasti të rëndë të shpërdorimit të parave publike.