Vendosni fjalën kyçe....

TikTok gjobitet nga BE me 530 milionë euro për dështimin në mbrojtjen e të dhënave të përdoruesve nga shteti kinez


TikTok është ndëshkuar me një gjobë prej 530 milionë eurosh nga Komisioni Irlandez për Mbrojtjen e të Dhënave (DPC), pasi nuk ka arritur të mbrojë siç duhet të dhënat e disa përdoruesve europianë nga qasja e mundshme e autoriteteve kineze.

DPC, i cili mbikëqyr TikTok për të gjithë Zonën Ekonomike Europiane (EEA) — që përfshin 27 vendet anëtare të BE-së, si dhe Islandën, Lihtenshtejnin dhe Norvegjinë — konstatoi se platforma kineze e ndarjes së videove kishte shkelur Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR).

Sipas autoritetit irlandez, TikTok nuk kishte adresuar siç duhet nëse të dhënat e përdoruesve të EEA-së, të dërguara në Kinë, do të mbroheshin nga autoritetet kineze, duke iu referuar ligjeve kineze për antiterrorizmin, kundërzbulimin dhe ligje të tjera që, sipas vetë TikTok, devijojnë ndjeshëm nga standardet europiane.

TikTok nuk ka trajtuar mundësinë e qasjes nga autoritetet kineze në të dhënat personale të përdoruesve të EEA-së sipas ligjeve kineze,” – thuhet në deklaratën e DPC, shkruan The Guardian.

Komisioni shtoi gjithashtu se të dhënat ishin “aksesuar në distancë nga punonjës të TikTok në Kinë”.

DPC theksoi gjithashtu se kompania kishte dhënë “informacion të gabuar” gjatë hetimit. Fillimisht, TikTok deklaroi se nuk ruante të dhëna të përdoruesve nga EEA në Kinë, por muajin e kaluar pranoi se kishte lejuar ruajtjen e “kufizuar” të disa të dhënave europiane në territorin kinez.

Autoriteti mbikëqyrës irlandez e konsideroi “shumë seriozisht” këtë deklaratë të pasaktë dhe tha se po shqyrton mundësinë e marrjes së masave të mëtejshme rregullatore.

Çështja e sigurisë së të dhënave të përdoruesve të TikTok ka qenë prej kohësh një shqetësim në mbarë botën.

Aplikacioni është ende përballë kërcënimit për ndalim në SHBA, ndërsa ligjvënësit në të dy anët e Atlantikut kanë paralajmëruar për mundësinë e qasjes nga shteti kinez në informacionin personal të përdoruesve. TikTok kontrollohet nga kompania ByteDance me qendër në Pekin.

Nga ana e saj, TikTok reagoi duke theksuar se DPC nuk ka arritur në përfundimin se të dhënat e përdoruesve europianë janë ndarë me autoritetet kineze.

Kompania gjithashtu tha se nuk ka marrë kurrë një kërkesë nga autoritetet kineze për të dhënat e përdoruesve dhe nuk ka dhënë informacion të tillë.