Agjencia e brendshme e inteligjencës gjermane ka caktuar zyrtarisht partinë e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), si parti “ekstremiste”.
Në një deklaratë të premten, Zyra Federale e Gjermanisë për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) tha se AfD shfaq shenja të shumta të një partie që vepron kundër rendit themelor të lirë demokratik, ndërsa e akuzon atë për “shpërfillje të dinjitetit njerëzor”.
Vlerësimi është bërë në bazë të një “shqyrtimi ekspert intensiv dhe gjithëpërfshirës” të aktiviteteve të partisë, duke përfshirë përkatësitë e saj dhe deklaratat e anëtarëve të partisë. Sipas BfV, drejtuesit e AfD-së promovojnë politika që përjashtojnë qytetarët gjermanë me prejardhje emigrante – veçanërisht myslimanët – nga pjesëmarrja e plotë shoqërore, shkruan Rt.
“Nxitja e vijueshme kundër refugjatëve dhe emigrantëve, promovon përhapjen dhe thellimin e paragjykimeve, pakënaqësisë dhe frikës”, përfundoi BfV.
Bashkëudhëheqësit e AfD-së Alice Weidel dhe Tino Chrupalla e kanë dënuar vendimin.
“Klasifikimi i sotëm është një goditje e rëndë për demokracinë gjermane”, thanë ata në një deklaratë të përbashkët.
“AfD është partia më e fortë në sondazhet aktuale, megjithatë, AfD, si parti opozitare, po diskreditohet dhe kriminalizohet publikisht pak para ndryshimit të qeverisë.”
Ndërkohë, kancelari në largim Olaf Scholz paralajmëroi kundër çdo vendimi të nxituar në lidhje me vendosjen e ndonjë kufizimi ndaj një partie.
Deklarata e BfV vjen pasi një sondazh i ri i Forsa i publikuar muajin e kaluar tregoi se AfD ka 26% mbështetje, përpara Kristian Demokratëve të Gjermanisë (25%) dhe Partisë Social Demokratike të Gjermanisë (15%). AfD ka vazhduar të fitojë tërheqje mes pakënaqësisë së votuesve me partitë kryesore dhe shqetësimeve në rritje për emigracionin dhe ekonominë.
