Vendosni fjalën kyçe....

GJKKO e dënoi me burgim të përjetshëm, Florenc Çapja ekstradohet sot nga Dubai në Shqipëri


Florenc Çapja, një nga emrat më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, pritet të ekstradohet pasditen e sotme nga Dubai drejt Shqipërisë. Burime zyrtare bëjnë me dije se Çapja, 44 vjeç, banues në Elbasan, do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit rreth orës 16:00.

Operacioni i ekstradimit vjen si pjesë e një bashkëpunimi të ngushtë mes Policisë së Shtetit dhe partnerëve ndërkombëtarë, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”. Policia njoftoi se ky zhvillim është rezultat i shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit dhe bashkëpunimit operativ për lokalizimin dhe arrestimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

“Në kuadër të këtij operacioni, pasditen e sotme pritet të finalizohet me sukses ekstradimi nga Dubai i shtetasit F. Ç., 44 vjeç, banues në Elbasan,” thuhet në njoftimin e policisë.

Florenc Çapja është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (GJKKO) për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë “vrasje në rrethana cilësuese”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe “mbajtje pa leje e armëve të ftohta”.

Ai është dënuar për vrasjen makabre të babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri, ngjarje që ndodhi në vitin 2012 në Elbasan. Gjithashtu, Çapja akuzohet se ka porositur vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini.

Florenc Çapja, i njohur gjithashtu për rivalitetin e tij të hapur me Suel Çelën, konsiderohet si një prej figurave më të rrezikshme të botës së krimit në Elbasan.

Policia ka paralajmëruar se do të japë informacion të mëtejshëm në momentin e përfundimit të operacionit të ekstradimit në aeroportin e Rinasit.

VENDIMI I APELIT TË GJKKO

Gjykata e Posaçme e Apelit, me një vendim të datës 15 Nëntor 2023, ka lënë në fuqi vendimin e 19 Prillit të atij vitit të GJKKO-së për dënimin me burgim të përjetshëm Ardian dhe Florenc Çapjan, si dhe Olsi Lekun të akuzuar si të përfshirë në vrasjen e Nezir dhe Gentian Beqirit.

Ndërsa është dënuar me 15 vite burg, Ervis Bardhi, 25 vite burg për Klajdi Dekollin, si dhe 25 vite burg për Etjen Canin.

Vendimi është marrë ditën e sotme (e mërkurë, 15 Nëntor), nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja, Igerta Hysi dhe Miliana Muça.

Sipas Apelit të GJKKO, Ardian Çapja dënohet për veprat penale si “vrasje në rrethana të tjera cilësues”, “grup të strukturuar kriminal”, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”, si “mbajtje pa leje e armëve të ftohta”.

Për të njëjtat vepra penale, do të vuaj dënimin me burgim të përjetshëm edhe shtetasi Florenc Çapja si Olsi Leku.

Ndërsa anëtarët e tjerë të bandës, duke përfshirë këtu, Ervis Bardhin, Klajdi Dekolli dhe Etjen Canin, do të dënohen me 15 deri në 25 vite burg për veprën penale, “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” si dhe “grup i strukturuar kriminal”.

Pas hetimit kërkohet konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit të armëve të zjarrit, të sekuestruara gjatë kontrolleve, të tipit kallashnikov, radio marrëset, përgjime telefonike, ambientale, CD, etj.

Njoftimi i Apelit të GJKKO:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Igerta Hysi (anëtare) dhe Miliana Muça (anëtare), sot më datë 15.11.2023, shalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 53 akti, datë 14.09.2023, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesit/të pandehurit A.Ç., E.B., K.D., E.C., F.Ç., O.L., si dhe ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kundër vendimit nr. 24, datë 19.04.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:

  • Deklarimin fajtor të të pandehurit A.Ç. (alias Ç.), për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4 e 334 pika 2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

Deklarimin fajtor të të pandehurit A.Ç. (alias Ç.), për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i parë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit A.Ç. (alias Ç.), për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278 paragrafi i 2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit A.Ç. (alias Ç.), për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, parashikuar nga neni 278 paragrafi i 3 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit A.Ç. (alias Ç.), për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga neni 279 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

Bazuar në nenet 55 e 56 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, i pandehuri A.Ç. (alias Ç.) dënohet me burgim të përjetshëm.

Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin A.Ç. (alias Ç.) do të fillojë të llogaritet nga dita e arrestimit të tij dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së lartë.

  • Deklarimin fajtor të të pandehurit F.Ç. (alias Ç.), për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4 e 334 pika 2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

Deklarimin fajtor të të pandehurit F.Ç. (alias Ç.), për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i parë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit F.Ç. (alias Ç.), për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

Bazuar në nenet 55 e 56 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, i pandehuri F.Ç. (alias Ç.), dënohet me burgim të përjetshëm.

Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin F.Ç. (alias Ç.), do të fillojë të llogaritet nga dita e arrestimit të tij dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së lartë.

  • Deklarimin fajtor të të pandehurit O.L. (alias J.L., alias G.L.), për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4 e 334 pika 2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

Deklarimin fajtor të të pandehurit O.L. (alias J.K., alias G.L.), për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit O.L. (alias J.K., alias G.L.), për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

Bazuar në nenet 55 e 56 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, i pandehuri O.L. (alias J.K., alias G.L.) dënohet me burgim të përjetshëm.

Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin O.L. (alias J.K., alias G.L.), do të fillojë të llogaritet nga dita e arrestimit të tij dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së lartë.

  • Deklarimin fajtor të të pandehurit E.B., për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4 e 334 pika 2 të Kodit Penal dhe të nenit 37/a pika 4 të Kodit të Procedurës Penale dhe dënimin e tij me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit E.B., për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit E.B., për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

Bazuar në nenet 55 e 56 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, i pandehuri E.B. dënohet me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burgim.

Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin E.B. do të fillojë të llogaritet nga dita e arrestimit të tij dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së lartë.

  • Deklarimin fajtor të të pandehurit K.D., për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4 e 334 pika 2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit K.D., për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

Bazuar në nenet 55 e 56 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, i pandehuri K.D. dënohet me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim.

Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin K.D. do të fillojë të llogaritet nga dita e arrestimit të tij dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së lartë.

  • Deklarimin fajtor të të pandehurit E.C. (alias Ç), për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4 e 334 pika 2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit E.C. (alias Ç), për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

Bazuar në nenet 55 e 56 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, i pandehuri E.C. (alias Ç), dënohet me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim.

Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin E.C. (alias Ç), do të fillojë të llogaritet nga dita e arrestimit të tij dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së lartë.

Lidhur me provat materiale, sipas Urdhër (Për bashkimin e provave materiale me fashikullin e gjykimit) të lëshuar në datë 17.06.2021, nga prokurori Behar Dibra, si dhe sipas akteve që ndodhen në fashikullin e gjykimit, në respektim të nenit 36 të Kodit Penal dhe 190 të Kodit të Procedurës Penale, disponohet si më poshtë:

Të konfiskohen dhe të kalojnë në favor të shtetit:

– Arma e zjarrit me numër 14224314, armë zjarri kallashnikov i kalibrit 7,62 mm x 39 mm, e fabrikuar dhe e prodhimit standard luftarak; 60 (gjashtëdhjetë) copë fishekë luftarak të fabrikuar, të kalibrit 7,62 mm x 39 mm, si dhe bajoneta;

– Radiot marrëse – dhënëse të sekuestruara.

Të mbeten pjesë e fashikullit të gjykimit:

– CD të përgjimeve telefonike, përgjimeve ambientale, CD me foto dhe CD të akteve të ekspertimit, gjithsej 111 (njëqind e njëmbëdhjetë) copë.

Të asgjësohen/të zhduken:

– Automjeti “Mercedes Benz”, Daimler Chrysler E Class, katër fenerësh, i djegur plotësisht dhe me targa me mbishkrimin {…} (të fundit të vjedhura automjetit të shtetasit K.A.);

– dy targat {…};

– dokumentacioni: leje qarkullimi e shtetasit E.M., për automjetin autoveturë “Mercedes Benz”, {…}, ngjyrë e zezë, me nr. shasie {…}, çertifikatë e kontrollit fizik lëshuar në emër të E.B., për mjetin me targë {…}, procesverbal i konstatimit të shkeljes nr. {…}, datë 20.11.2012, Kontratë Shitblerje Pasuri e Paluajtshme bashkëlidhur.

Shpenzimet procedurale të kryera gjatë hetimeve paraprake, si dhe shpenzimet gjyqësore, në vlerën përkatëse, sipas procesverbalit bashkëngjitur këtij vendimi, i ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.

Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda afatit ligjor në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

  1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 24, datë 19.04.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  2. Shpenzimet gjyqësore për gjykimin në apel i ngarkohen të pandehurve solidarisht.