
Dhjetëra banorë të fshatit Kaçinar në Mirditë zbritën këtë javë në Tiranë për të protestuar para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kundër ndërtimit të katër hidrocentraleve në zonën e tyre. Ata i bënë thirrje direkte ministres Belinda Balluku që të dalë dhe të përballet me shqetësimet e komunitetit, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të projekteve energjetike që, sipas tyre, rrezikojnë jetesën dhe mjedisin në fshat.
“Uji është jetë, mos na e thani shpirtin!” – ishte një nga thirrjet kryesore të protestuesve, të cilët u shprehën se prej vitesh janë lënë në mëshirë të vendimeve që merren pa konsultim me ta dhe pa transparencë. Banorët denoncuan se ndërtimi i hidrocentraleve po kryhet në mënyrë të paligjshme, duke dëmtuar burimet ujore që përbëjnë jetesën e tyre të përditshme – nga bujqësia dhe blegtorisë, te nevojat bazë për ujë të pijshëm.
Përfaqësues të komunitetit të Kaçinarit pohuan gjithashtu se janë nën presion nga “grupe të errëta” që mbështesin interesat e ndërtuesve të HEC-eve. Ata shprehën frikën për sigurinë e tyre dhe kërkuan mbrojtje institucionale.
“Mbase kujtohet ministrja t’i dalë gjumi dhe të na dëgjojë. Nuk ka ardhur askush të flasë me ne, të na dëgjojë. Kemi nisur një peticion dhe kërkojmë që kjo çështje të shkojë deri te kryeministri”, deklaroi një prej protestuesve.
Ata kërkuan publikisht që ministrja Balluku ose përfaqësues të saj të takojnë përfaqësuesit e komunitetit, të marrin në shqyrtim shqetësimet e ngritura dhe të ndërpresin çdo lloj aktiviteti ndërtimor derisa të bëhet një vlerësim real i ndikimit mjedisor dhe social të këtyre projekteve.
Protestuesit theksuan se nuk do të ndalen në përpjekjet e tyre për të mbrojtur territorin, burimet natyrore dhe të ardhmen e brezave të ardhshëm në Kaçinar. Ata paralajmëruan përshkallëzim të mëtejshëm të protestës nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.