Vendosni fjalën kyçe....

“Ballukja paguante 10 milionë për të larë makinën” – e moshuara bën thirrje në takim elektoral të PD në Dimal


Gjatë një takimi elektoral të Partisë Demokratike në Dimal të Beratit, një qytetare e moshuar mori fjalën dhe shpërtheu në kritika të ashpra ndaj qeverisë, duke veçuar për denoncime ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Ajo akuzoi qeverinë për shpërdorim fondesh publike dhe mungesë vëmendjeje ndaj shtresave në nevojë.

“Ballukja paguante 10 milionë për të larë makinën,” deklaroi e moshuara, duke kërkuar që fondet të shkojnë për shëndetësinë, pleqërinë dhe bujqësinë, jo për luks apo shfaqje të tepruara.

Në një fjalim emocional dhe me tone të forta, ajo kritikoi edhe kandidatet e Partisë Socialiste për mungesë morali dhe ndikim negativ te rinia. “Kam parë Zegjinenë, çfarë përçon ajo tek rinia jonë? I thërriste ‘hajde të hamë një çikë’. Po çfarë do të hante me Gaz Bardhin?”, pyeti ajo me ironi, duke i bërë thirrje votuesve që të reflektojnë mbi cilësinë e përfaqësimit.

“Qeveria duhet të investojë te bujqësia dhe pleqëria, sepse pleqëria solli këtë rini,” tha ajo, duke nënvizuar nevojën për një administrim më të ndershëm dhe të përgjegjshëm të burimeve publike.

Ajo përmendi gjithashtu mungesën e barnave dhe kujdesit shëndetësor për të moshuarit, duke thënë: “Të gjithë tek mali do të shkojmë, por jo të na sëmurë qeveria. Jepni ilaçe të kontrolluara që të jetojmë edhe 5 ditë me dinjitet.”

Fjalimi i saj, i pasionuar dhe i drejtpërdrejtë, u prit me duartrokitje nga të pranishmit dhe shërbeu si një pasqyrë e pakënaqësisë së një pjese të popullsisë ndaj mënyrës së qeverisjes aktuale.