Vendosni fjalën kyçe....

Në kërkim ndërkombëtar për vrasje të mbetur në tentativë dhe vjedhje, arrestohet në Morinë 41-vjeçari


Një 41-vjeçar nga Kosova është arrestuar nga Policia Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, pasi rezultonte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet austriake për disa vepra të rënda penale.

I ndaluari është shtetasi H. L., banues në Deçan, i cili tentoi të hynte në territorin shqiptar kur u kap nga shërbimet e Policisë në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës.

Gjatë kontrolleve të thelluara dhe intervistimit në vijë të dytë, u konstatua se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti nga Interpol Vjena, nën akuzën për “Vrasje e mbetur në tentativë”, “Plagosje e rëndë” dhe “Vjedhje”.

41-vjeçari u arrestua me qëllim ekstradimi drejt Austrisë, ndërkohë që Interpol Tirana po vijon procedurat në bashkëpunim me autoritetet austriake për dorëzimin e tij.

Policia Kufitare ka rritur masat e kontrollit në kufi, në kuadër të luftës kundër paligjshmërive dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.