
Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë nënshkruar të mërkurën një marrëveshje të re, e cila i jep Uashingtonit akses në mineralet dhe burimet natyrore të Ukrainës. Marrëveshja, e quajtur “Fondi i Riinvestimit SHBA-Ukrainë”, vjen si pjesë e kompensimit për ndihmën amerikane ndaj Ukrainës në luftën kundër pushtimit rus.
Megjithëse detajet janë të pakta, marrëveshja pritet të sigurojë burime të çmuara për SHBA-në, veçanërisht mineralet e rralla, ndërsa për Kievin përfaqëson një garanci për mbështetjen e vazhdueshme amerikane.
“Marrëveshja i dërgon një mesazh të qartë Rusisë për përkushtimin e SHBA-së ndaj një Ukrainë të lirë dhe të begatë”, tha Sekretari i Thesarit, Scott Bessent.
Kjo marrëveshje vjen në një moment delikat të luftës trevjeçare, dhe dy muaj pas dështimit të një marrëveshjeje të ngjashme gjatë një takimi në Zyrën Ovale me Presidentin Trump dhe Presidentin Zelenskyy./AP