Vendosni fjalën kyçe....

“Duam t’u japim shqiptarëve qeverisje të pakorruptuar, mbështetja ndaj nesh është rritur” – Shehaj


Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, tha sot se synon t’u japë shqiptarëve një qeveri të pakorruptuar.

Gjatë një takimi me qytetarë të kryeqytetit në Njësitë 1 e 2, ai theksoi se synimi i tij nuk është që të bëhet faktor për formimin e qeverisë së re pas 11 majit.

“Ata janë thellësisht të shqetësuar. Vetë Edi Rama sot deklaroi se nuk i duhen Shqipërisë parti të reja. Sipas tij, mjaftojnë dy parti që ndajnë pushtetin. Tha: “E pamë çfarë bënte partia e tretë, vijnë si të rinj, pastaj korruptohen si ne.” Pse e thonë? Sepse janë të shqetësuar. Nuk i shqetëson ajo që do ndodhë më 12 maj, por fakti që ne kemi një projekt afatgjatë. Ne nuk kemi hyrë në politikë për t’u bërë parti e tretë siç i kanë parë ata për 34 vite. Nuk kemi asnjë interes të bëhemi “kingmaker”. Nuk jemi patericë e askujt. Ky nuk është synimi ynë. Nuk kemi hyrë në politikë për t’u pasuruar. Kemi hyrë sepse duam t’i japim Shqipërisë një qeveri të pakorruptuar. Sepse jemi të bindur se për 34 vite Shqipëria ka pasur qeveri që i kanë penguar shqiptarët”, u shpreh ai.

Ai theksoi më tej se mbështetja për Partinë Mundësia është në rritje sipas sondazheve.

“Kemi arsye të jemi optimistë, falë mbështetjes që është në rritje. Ne e kuptuam shumë më herët sesa të tjerët, dhe sot kjo mbështetje po del hapur në të gjitha matjet që bëhen. Por duhet të jemi të vetëdijshëm se jemi vetëm në fillim. Ndërkohë që të tjerët po shohin çfarë po ndodh, janë habitur dhe po përpiqen të na ndalojnë. Ne duhet të qëndrojmë të palëkundur dhe të mos dorëzohemi. Po e shihni përditë: pseudo-analistët kanë kaluar nga kritikat te sharjet. Na thonë: “Po të ishit bashkë, do ishte më mirë.” Por le të flasim me fakte: bashkë ata nuk kanë bërë më shumë kundër Edi Ramës sesa unë vetë. Ai është kryeministri më i korruptuar që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Ne jemi këtu për ta zëvendësuar me një kryeministër të pakorruptuar”, tha Shehaj.