Vendosni fjalën kyçe....

Chris LaCivita e ka të sigurt fitoren e Berishës: Na duhet një kryeministër që është mik i vërtetë i SHBA-së


Chris LaCivita, strategu kryesor i fushatës së Partisë Republikane të Donald Trump, ka zhvilluar një video-konferencë me kandidatët e koalicionit opozitar PD-ASHM në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Në këtë takim, LaCivita theksoi rëndësinë e mobilizimit të strukturave të Partisë Demokratike në të gjithë vendin dhe e konsideroi këtë periudhë si vendimtare për të ardhmen politike të Shqipërisë.

Ai theksoi se zgjedhjet nuk fitohen me sondazhe apo deklarata politike, por me punë konkrete në terren dhe përfshirje të fortë qytetare. LaCivita nënvizoi se çdo kandidat, staf dhe vullnetar duhet të angazhohen maksimalisht për të siguruar fitoren. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e kontaktit direkt me qytetarët dhe mobilizimin e mbështetësve për të dalë dhe votuar.

Në lidhje me krahasimin mes Edi Ramës dhe Joe Biden, LaCivita theksoi se të dy janë të paqëndrueshëm dhe kanë shkatërruar ekonominë. Ai shtoi se votuesit e pavendosur do të jenë ata që do të vendosin fatin e zgjedhjeve dhe është thelbësore t’u flasim atyre për ndikimin negativ të Edi Ramës në ekonomi.

LaCivita gjithashtu u shpreh se zgjedhjet e 11 majit mund të krijojnë një pikëmbështetje pro-amerikane në Evropë dhe se është e rëndësishme që të kemi një kryeministër që është një mik i vërtetë i SHBA-së dhe që do të punojë në mënyrë të suksesshme me presidentin Trump.

Në përgjigje të pyetjeve nga kandidatët, LaCivita theksoi rëndësinë e përfshirjes aktive të çdo individi në fushatë dhe mobilizimin e mbështetësve për të siguruar pjesëmarrje të lartë në zgjedhje. Ai u shpreh se çdo minutë është e vlefshme dhe duhet të shfrytëzohet për të bindur qytetarët të votojnë për ndryshimin që ofron koalicioni opozitar.

Në përfundim, LaCivita u shpreh se është i sigurtë se Sali Berisha do të zgjidhet kryeministër dhe se ky angazhim është një hap i rëndësishëm për të sjellë ndryshimin e nevojshëm në Shqipëri.