
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë prezantimit të kandidatëve të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në Librazhd, deklaroi se synon një fitore të thellë më 11 maj dhe një kthesë ekonomike për qytetarët. Ai premtoi se në 100 ditët e para të qeverisjes, çdo pensionist do të përfitojë një pension minimal prej 200 eurosh, si dhe do të vendoset një minimum jetik me të njëjtën vlerë.
Berisha shtoi se programi i PD synon të nxjerrë shqiptarët nga varfëria ekstreme, duke siguruar se “nuk do të ketë më qytetar që jeton me më pak se 6.3 euro në ditë”.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Shkojmë më 11 maj në zgjedhje të sigurt për një fitore të thellë ku qytetarët votojnë për veten e tyre, familjen e tyre dhe të ardhmen e të gjithë Shqipërisë. Zotohem para jush se me programin tona do të rikthejmë paratë qytetarëve shqiptarë dhe çdo pensionist në këtë rreth, në këtë qark dhe në Shqipëri në 100 ditët e para nuk do të ketë kurrë një pension nën 200 euro, do të vendosim minimumin jetik prej 200 eurosh i cili përmirëson gjendjen e 560 mijë pensionistëve.
Në 100 ditë nxjerrim shqiptarët nga varfëria e skajshme Nuk ka shqiptarë që nuk do të ketë nën 6.3 euro në ditë.
Regjimi i Ramës i famshëm në botë për lidhjen me krimin dhe drogën. Pyes fermerët, sa herë e keni dëgjuar të flasë për ju? Për pemëtoret dhe prodhimet tuaj dhe sa herë për drogën dhe kanabisin. Ne do të 5 fishojmë fondet dhe subvencionet për fermerët.