Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Kontrata e lobimit me avokatin e Trump është 100% ligjore, financuar nga patriotë shqiptarë


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për kontratën e lobimit që PD ka lidhur me kompaninë e një prej avokatëve më të njohur në Shtetet e Bashkuara, i cili njihet si përfaqësues ligjor i presidentit amerikan Donald Trump.

Në një deklaratë publike, Berisha theksoi se kontrata është “100% e bazuar në ligj” dhe nuk ka asnjë lidhje me procesin zgjedhor në Shqipëri.

Sipas tij, qëllimi i saj është përmirësimi i marrëdhënieve të Shqipërisë me SHBA-në dhe paraqitja e problematikave të vendit përpara administratës amerikane.

“Kontrata nuk ka të bëjë me zgjedhjet. Qëllimi i saj është mbrojtja e kauzave të popullit opozitar nga një narkodiktaturë,” tha Berisha, duke iu referuar qeverisë aktuale dhe kryeministrit Rama.

Lideri demokrat bëri të ditur se financimi i kontratës është siguruar nga një fondacion i krijuar nga shqiptarë të diasporës, të cilët, sipas tij, janë patriotë që duan të ndihmojnë Partinë Demokratike.

Berisha: Së pari kjo kontratë nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet. Jo. Kjo kontratë ka një qëllim tjetër. Marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA, paraqitjen e realitetit shqiptar me të gjithë problematikat e mëdha të tij para administratës së SHBA

Nuk do ndodhë më që pa u numëruar kutia e fundit Rama të urohet.

Bashkëpunimi i Ramës me bandat e krimit është rrezik jo vetëm për rajonin, Evropën, por edhe për SHBA

Ne besojmë se çështja McGionigal është një varr i hapur dhe duhet të mbyllet.

Është marrë një avokat më të shquarit e asaj toke që ka për detyrë avokatin e kauzave të PD pranë administratës së Donald Trump

Nuk ka të bëjë me zgjedhjet. Ka një nen, neni 21 i ligjit të partive politik. Autorizon partitë të marrin ndihma, mbështetje financiare nga forcat e tjera politike, organizata dhe fondacione. Pra kontrata është 100% e bazuar në ligj.

Kontrata ka një nen, sipas të cilit palët në çdo rrethanë që ta konsiderojnë të dobishme për veten e tyre ndërpresin kontratën. As mund të flasësh për 6 mln as për 100 apo 200 mijë. Kontrata është sipas kërkesave të palëve. Një gjë është e sigurt që populli opozitar nuk ka më kauzë jetime, në atë vend të madh ajo kauzë ka një avokat të madh. Kjo kontratë me avokatin numër një ka synim mbrojtjen e kauzave të popullit opozitar nga një narkodiktator.