
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një deklarate nga Kukësi, theksoi arritjet ekonomike të qeverisë që prej marrjes së detyrës nga PS-ja, duke nënvizuar rritjen e ndjeshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), uljen e borxhit publik dhe ruajtjen e inflacionit më të ulët në rajon.
“PBB-ja, që është vlera totale e të gjithë të ardhurave të krijuara në vend, kur morëm detyrën ishte më pak se 10 miliardë euro. Në fund të vitit 2024, ajo arriti në 25 miliardë euro. Projeksioni ynë për vitin 2030 është që PBB-ja të shkojë në 35 miliardë euro,” u shpreh Rama, duke shtuar se kjo përbën një rritje dy herë e gjysmë dhe është më e larta në rajon.
“Nëse për vendet e tjera rritja mesatare është rreth 65%, për Shqipërinë është 100%,” shtoi ai.
Rama deklaroi gjithashtu se të ardhurat për frymë janë rritur në 10,300 euro dhe sipas projeksioneve, deri në vitin 2030 do të arrijnë në 15 mijë euro.
Në lidhje me borxhin publik, kreu i qeverisë deklaroi se në momentin që morën drejtimin, borxhi zyrtar ishte 70.4%, por kishte edhe një borxh të fshehur ndaj kompanive që nuk ishin paguar për investime të kontraktuara pa fonde të garantuara.
Ai theksoi se ky borxh i fshehur kapte vlerën e rreth 700 milionë eurove, ndërsa aktualisht borxhi publik është ulur në 54%, të cilin e cilësoi si një nivel të pranueshëm për Shqipërinë.
Rama iu referua edhe sektorit bankar, duke theksuar se niveli i kredive të këqija ka zbritur në 4%, nga një nivel alarmant që rrezikonte qëndrueshmërinë e sistemit financiar në fillim të mandatit të tij.
Sa i përket inflacionit, Rama theksoi se Shqipëria ka pasur nivelin më të ulët në rajon gjatë dekadës së fundit, sipas të dhënave të FMN-së.
“Në mesataren rajonale të inflacionit në 10 vitet e fundit, Shqipëria renditet e para me nivelin më të ulët,” deklaroi ai.