Vendosni fjalën kyçe....

“Nisma Shqipëria Bëhet” në Xhamllik: 12 Maji të jetë dita e shpresës, jo e ikjes


Në një atmosferë entuziaste dhe me pjesëmarrje të lartë qytetarësh, koalicioni i të rinjve “Nisma Shqipëria Bëhet” zhvilloi një takim elektoral në zonën e Xhamllikut në Tiranë. Gjatë këtij eventi, u prezantuan kandidatët për Qarkun e Tiranës.

Endrit Shabani, kryetari i koalicionit për Tiranën, theksoi përpara banorëve ambicien e fortë për të arritur një objektiv të qartë: sigurimin e 300 mijë votave në zgjedhjet e 11 majit.

“Kur ata t’ju marrin në telefon dhe t’ju kërkojnë votën duke thënë se kanë hapur vende punë, atëherë nëse vërtetë kanë hapur vende pune, votojini.

Por nëse të rinjtë kanë ikur jashtë dhe këta kanë hapur vende pune veç në Gjermani, atëherë ka ardhur koha t’u japim një shans të rinjve.

Ndaj në 11 Maj votoni numrin 6 që të kemi 300 mijë vota në kuti. 300 mijë njerëz që thonë po Shqipëria bëhet dhe që e kanë thyer frikën” – tha Endrit Shabani.

Në vijim të fushatës elektorale në zonën e Xhamllikut, drejtuesit e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” u shprehën me tone të forta ndaj qeverisjes aktuale.

Nënkryetari Panajot Soko akuzoi pushtetin se përdor varfërinë për të kontrolluar qytetarët, ndërsa Adriatik Lapaj bëri thirrje që 12 maji të mos shënojë “ikjen e madhe”, por të kthehet në ditën e shpresës dhe ndryshimit për Shqipërinë.

 

 

“Ata qëllimisht nuk i rrisin pensionet dhe pagat sepse kur je i varfër blihesh lirë. Ata dinin t’i ndanin tokat me drejtësi, por i lanë enkas që ju të vareni nga nevoja që sa herë të vijnë zgjedhjet t’ju kapin si peshku përmes fletës së votimit. Atyre u intereson që këtu të mbeten vetëm ata që janë të varur ekonomikisht prej tyre” – tha Soko.

“Nëse më 11 maj e reja dështon përballë atyre që i kanë bërë çdo të keqe këtij vendi për 34 vjet, data 12 maj do të jetë dita kur nga ky vend do të nisë ikja e madhe. Ju lutem, mos e ktheni datën 12 maj në ditën e zhgënjimit të madh. Kthejeni në ditën e shpresës së madhe”, nënvizoi Lapaj.