
Kandidati i Partisë Demokratike në Qarkun e Shkodrës, Bardh Spahia, zhvilloi sot një takim me Ambasadorin Lamberto Zannier, shef i misionit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, si dhe me ekipin e tij të këshilltarëve dhe ndihmësve.
Gjatë bisedës në selinë e PD-së në Shkodër, Spahia shprehu shqetësimin për klimën e tensionuar zgjedhore dhe për mungesën e reagimit institucional ndaj krimeve zgjedhore. Ai denoncoi ndikimin e krimit të organizuar dhe të parave të pista në procesin zgjedhor, si dhe përdorimin politik të administratës dhe mediave.
“Pavarësisht denoncimeve të shumta dhe provave të qarta që kemi paraqitur, mungojnë hetimet dhe ndëshkimi për krimin zgjedhor. Kjo përbën një kërcënim serioz për demokracinë dhe integrimin europian të vendit,” deklaroi Spahia.
Ai theksoi se Partia Demokratike mbetet e përkushtuar ndaj një gare të ndershme dhe transparente, dhe ka ndërmarrë një fushatë që fokusohet te qytetari, programi dhe bashkëpunimi.
Spahia i kërkoi misionit të OSBE/ODIHR angazhim të plotë për të garantuar një proces zgjedhor të rregullt dhe për të parandaluar çdo përpjekje për manipulim.
“11 maji është një moment vendimtar. Çdo tentativë për të deformuar vullnetin e qytetarëve është një goditje për demokracinë dhe për të ardhmen europiane të Shqipërisë,” u shpreh ai.