Vendosni fjalën kyçe....

“Më 11 maj, Shqipëria zgjedh mes BE dhe një 80-e-kusur vjeçari që do ta bëjë vendin çorap” – Rama


Kryeministri Edi Rama zhvilloi pasditen e sotme një takim elektoral me banorët e Patosit në Fier, ku theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 11 majit si një moment historik për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Në fjalën e tij, Rama u shpreh se qytetarët do të vendosin jo thjesht mes partive politike, por mes progresit dhe kthimit pas.

“Më 11 maj, Shqipëria zgjedh mes vendit të saj në BE dhe një 80-e-kusur vjeçari që do ta bëjë vendin çorap,” tha kryeministri, duke iu referuar ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ai theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian nuk është vetëm një aspiratë politike, por një profeci e lënë amanet nga Skënderbeu dhe rilindasit, që shqiptarët ta kenë fatin e tyre të lidhur me Europën dhe jo me Lindjen.

Rama shtoi se pasaporta evropiane nuk është thjesht një mjet udhëtimi, por një status i ri qytetar që e vendos Shqipërinë në të njëjtin nivel me vendet e BE-së.

“Me këtë pasaportë, do hyjmë në Europë siç hyni ju nga Patosi në Tiranë,” u shpreh ai.

Në fund, Rama paralajmëroi se Shqipëria nuk mund të humbasë “trenin e historisë” dhe se kjo është një mundësi për të mbyllur kapituj të vjetër dhe për të hapur një të ardhme të re. Ai shprehu bindjen për një fitore rekord në Fier, të cilin e quajti “kryeqytetin e socialistëve”.