
Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara ka pezulluar përkohësisht deportimin e burrave venezuelianë të ndaluar, pas shqetësimeve të ngritura nga avokatët e tyre për rrezikun e largimit të menjëhershëm pa një shqyrtim të mëparshëm gjyqësor, siç kërkohej nga drejtësia, përcjell Reuters.
Vendimi u mor pas kërkesave urgjente të paraqitura nga ACLU, e cila theksoi se të ndaluarit, të dyshuar si anëtarë të bandës Tren de Aragua, po përballeshin me largim të shpejtë pa mundësi reale për të kundërshtuar largimin e tyre.
Administrata Trump kishte invokuar Ligjin e Armikut të Huaj të vitit 1798, një ligj i përdorur zakonisht vetëm gjatë luftërave, për të justifikuar deportimet. Ky veprim ka ngritur shqetësime për tejkalimin e kompetencave ekzekutive dhe mundësinë e një konflikti kushtetues mes degëve të qeverisë amerikane.
Gjykatësit konservatorë Clarence Thomas dhe Samuel Alito kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj këtij vendimi. Gjykata e Lartë ka kërkuar nga administrata të paraqesë një përgjigje ndaj kërkesave të ACLU-së pasi gjykatat më të ulëta të merren me çështjen.