
Në mbrëmjen e 17 prillit, një atentat mafioz ndodhi në Tiranë, ku 33 plumba u qëlluan në drejtim të një mjeti tip G-Class, pronë e Vesel Demiraj, pronarit të “Pelikani Security”. Mjeti ndodhej në lëvizje dhe në të ishin dy djemtë e mitur të Demirajt, një shok i tyre dhe shoferi i familjes Demiraj.
Sipas hetimeve të deritanishme, dy autorët e dyshuar të atentatit, të cilët mendohet se kanë qenë me motor, kanë pritur një kohë të gjatë në zonë. Ata kanë prishur një gardh metalik afër rrugës kryesore për të u fshehur, duke planifikuar sulmin. Pas atentatit, autorët janë larguar me motor “Dukati” drejt Elbasanit dhe kanë humbur gjurmët në fshatra, ku dyshohet se një person i tretë i ka ndihmuar të largoheshin me makinë.
Në vendngjarje, policia ka gjetur 33 gëzhoja, ndërsa 8 plumba kanë goditur makinën G-Class. Një plumb tjetër ka kapur një automjet tip Ford të një qytetari tjetër, i cili po udhëtonte paralel me makinën e të plagosurve në momentin e atentatit. Makina e tij ka marrë një plumb në kolonën e derës. Shoferi i “Ford” u largua me shpejtësi nga frika dhe u fut në parkimin e një qendre tregtare, ku më pas njoftoi policinë.
Pavarësisht se ka qenë dëshmitar okular, ai nuk ka mundur të identifikojë autorët e ngjarjes, duke deklaruar se gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe ai u largua në panik.