
Në seancën e radhës për dosjen “Plumbi i Artë”, bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka dhënë detaje të reja rreth një tentative për vrasje me pagesë. Ai deklaroi se kishte komunikuar me Erjon Alibej edhe pas arrestimit në paraburgimin e Elbasanit.
Dumani rrëfeu se kishte porositur Henrik Hoxhajn për vrasjen e Lulëzim Mashës, duke i ofruar 160 mijë euro dhe paguar 10 mijë si kapar. Ndërkohë, Henrik Hoxhaj e kundërshtoi dëshminë, duke thënë se shënjestra fillestare ishte djali i Mashës, i cili nuk u gjet, dhe për këtë arsye kishin shkuar te i ati.
Por Henrik Hoxhaj u shpreh në kundërshtim:
“Është marrë porosia për vrasjen e djalit të Lulëzim Mashës, nuk u gjet ai. Dhe vajtëm te i ati në nënyrë që ai të vinte në varrim.
Nuredin Dumani ma solli mesazhin me screenshot nga “sakati”, Aleksandër Baho. E kam shprehur këtë në deklarimet e mia”.
Dumani vijoi më tej rrëfimin e tij:
“Me Suel Çelën më ka lidhur një miku im në Durrës, Fatmir Troplini, pasi Sueli çonte Xhino Rrokën të merrte mall tek këta. Pseudonimet e mia në Sky ECC ishin “Alkatraz”, “Covid 19” dhe “Toto Rino”. Henrikut ia kisha vënë emrin “Baftjari”, nuk e di si e ka pas.
Porosinë e mora për të goditur Lulëzim Mashën. Vazhdimisht kam komunikuar me Henrikun, disa muaj përpara ngjarjes, mesi ose fillimi i 2021.
Më ka takuar Aleksandër Baho disa herë. Një herë erdhi në Kosovë me CLS, njëherë me Audi A4 dhe njëherë me Audi me targa angleze. Herën e fundit ndjenji një ditë me mua. Porosinë për Lulëzim Mashën ma dha Suel Çela për persona të tjerë.
Kemi komunikuar vazhdimisht bashkë nga 2021. Me Suelin u njoha përmes Fatmir Troplinit. Ky ka qenë kontakti. Suel Çela ka rrahur Arben Lazen.
E mora përsiper porosinë e Suelit për interesin. Fillimisht m’u premtuan 150 pastaj 200 mijë euro”, ka rrëfyer Dumani.