Vendosni fjalën kyçe....

Batonizimi i politikës së jashtme


Nga Arbër Zaimi

Një nga dështimet më të rënda të qeverive të Kosovës e të Shqipërisë në vitet e fundit është prapakthimi në procesin e njohjeve të Kosovës.

Në vend që të rritej numri i njohjeve, disa vende po tërheqin njohjet dhe kjo e bën qeverinë PAN më të dobëtën që ka patur ndonjëherë Kosova.

Çka ka ndodhur?

Ai që s’do të shohë të vërtetën me sy, do të thotë se ka ndryshuar Amerika, Serbia apo Rusia e Kina.

Mirëpo jo, Amerika lobonte dhe lobon ndërkombëtarisht sot e kësaj dite për njohjen e Kosovës, pa asnjë lëkundje.

Dhe Serbia, Rusia e Kina po ashtu kanë të njëjtat qëndrime këtu e dy dekada.

E vërteta është e thjeshtë. Politika “gjeniale” diplomatike e prezantuar nga Batoni i Ivicës, solli ndryshim të doktrinës diplomatike të Shqipërisë e Kosovës, duke e bërë njohjen e Kosovës çështje pazari.

Dikur, duke u bazuar te shpallja e pavarësisë dhe vendimi i GjND-së, Kosova e Shqipëria as që pranonin të vihej në diskutim tërësia e Kosovës. Vitet e fundit, pranuan logjikën “të paguajmë diçka për pavarësinë dhe njohjen”.

Logjika “duhet paguar diçka për njohjen” menjëherë bën që disa shtete (figurativisht) të thonë “po ne budallë kemi qenë që e njohëm pa marrë asnjë pagesë”?

Sigurisht, shtetet afrikane që tërheqin njohjet nuk do kërkojnë pagesë me territor nga Kosova, por mund të kërkojnë favore nga ShBA. E gjithë logjika e “pagesës për njohje” e shndërron procesin në një ankand botëror.

Veç kësaj, logjika batoniane e Thaçit dhe e Ramës “duhet të paguajë diçka Kosova për njohjen e pavarësisë”, e bën pavarësinë të duket si e vjedhur, Kosovën e pavarur e paraqet si tokë e tjetërkuj e uzurpuar pa leje, për të cilën tash duhet paguar një lloj “takse” për të marrë legalizimin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *