Një helikopter u rrëzua në lumin Hudson në Manhattan të enjten pasdite. Videot dramatike tregojnë helikopterin duke u copëtuar në ajër përpara se të zhytet në ujë.
Të gjashtë personat në bord u vranë. Incidenti ndodhi rreth orës 15:15 me orën lokale, konfirmoi kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Eric Adams gjatë një konference për shtyp. Viktimat më vonë u identifikuan si Agustin Escobar, shefi ekzekutiv i Siemens Spanjë, gruaja e tij dhe tre fëmijët e tyre të moshës 4, 5 dhe 11 vjeç, si dhe piloti 36-vjeçar, shkruan Rt.
Pamjet e dëshmitarëve okularë të shpërndara në mediat sociale kapën momentin kur rotori kryesor dhe helika e bishtit të helikopterit Bell 206 u ndanë ndërsa ishin ende në ajër. Tehet e rotorit, të shkëputura plotësisht nga trupi, mund të shiheshin duke vazhduar të rrotulloheshin ndërsa binin veçmas nga trupi i helikopterit, përpara se të godisnin ujin.
Departamenti i Zjarrfikësve të qytetit të Nju Jorkut (FDNY) konfirmoi se varkat e shumta të shpëtimit shkuan menjëherë në vendngjarje, duke rrethuar helikopterin kryesisht të zhytur në ujë, me kokë poshtë. Raportet fillestare treguan se piloti u nxor nga uji i gjallë, megjithëse numri i plotë i viktimave mbetet i pakonfirmuar.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) kanë nisur një hetim për shkakun e rrëzimit. Zyrtarët nuk kanë përcaktuar ende se çfarë çoi në ndarjen e dukshme gjatë fluturimit.
