
Policia e Dibrës ka ndaluar një 38-vjeçar, i cili akuzohet për dhunë në familje, kanosje për jetën dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municionit.
Pas denoncimit të bashkëshortes së tij, që raportoi se po dhunohej dhe kërcënohej me vdekje në fshatin Lishan, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, ndërhynë menjëherë dhe arrestuan shtetasin E. M.
Gjatë kontrollit në banesë, Policia gjeti armë zjarri pistoletë, granata dore, dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan si prova materiale.
Njoftimi i policisë:
Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë, menjëherë pas denoncimit të një shtetaseje, për dhunë dhe kanosje për jetën, nga bashkëshorti i saj, parandalon ngjarjen e mundshme kriminale në familje.
Vihet në pranga 38-vjeçari që dhunoi dhe kanosi për jetën bashkëshorten e tij, si dhe posedonte në banesë, armë zjarri pistoletë, granata dore dhe municion luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas njoftimit nga një 38-vjeçare se në banesë, në fshatin Lishan, njësia administrative Luzni, bashkëshorti i saj po e dhunonte dhe po e kërcënonte për ta vrarë, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale të shërbimeve të Policisë u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. M., 38 vjeç, banues në fshatin Lishan.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri pistoletë, 3 granata dore të montuara me kapsolla ndezëse, 1 krehër pistolete dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Kanosja” dhe “Mbajta pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.