Vendosni fjalën kyçe....

Rama: S’bëhet fjalë për mua po për diçka të madhe, më jepni votën të futemi në BE


Kryeministri Rama tha se mandati i katërt i duhet që ta fusë Shqipërinë në BE dhe t’u japë qytetarëve shqiptarë pasaportën evropiane.

Në komunikimin e përjavshëm me ndjekësit në Facebook, kreu i qeverisë theksoi se zgjedhjet e 11 majit janë tejet të rëndësishme për vendin dhe qytetarët duhet të zgjedhin përtej partive.

“Këtu nuk bëhet fjalë për mua, por për diçka më të madhe. Bëhet fjalë që fëmijëve të këtij vendi ti japim pasaportën e BE, jo TikTok-un. Duhet kapërcyer mbi partitë dhe dokrrat, pakënaqësitë dhe broçkullat. Është një moment në histori që treni i historisë ka ndaluar para nesh e duhet ta kapim, ush e kap atë shkon para, Kush kthehet në anën tjetër dhe ia fut gjumit e humbet këtë tren. Marrja e pasaportës europiane, të gjithë duhet ta kemi parasysh është shumë më tepër se lëvizje e lirë. Sot kemi pasaportë që na lë mundësi të lëvizim por jo të ndalojmë. Pa hyrë mirë akoma na pyesin në aeroport kur do ikësh. Jemi qytetarë të dorës së dytë. Pasaporta europiane na bën qytetarë të dorës së parë sepse nuk ka më kufi dhe nuk hyjmë më në radhë. Mund të kërkojmë punë ku të duam dhe nëse kemi një shërbim shëndetësor mund ta marrim njëlloj si qytetarët e atij vendi ku shkojmë. Nëse bëhemi bashkë më 11 maj, në 2027 janë në fund negociatat. Duhet të marrim një mandat të fuqishëm më 11 maj.” – tha ai.