Vendosni fjalën kyçe....

Naureda Llagami hedh poshtë komunikmet me Bushkën: Imagjinare, të fabrikuara nga i njëjti person


Kryetarja e KLGJ-së Naureda Llagami ka reaguar sërish mbi publikimet që paraqesin komunikime elektronike ndërmjet saj edhe kryetares së Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushkës, për “kapjen e SPAK”.

Nëpërmjet një reagimi, Llagami sqaron se këto komunikime me znj. Bushka nuk kanë ndodhur asnjëherë dhe janë të fabrikuara, duke theksuar se ky fakt është lehtësisht i verifikueshëm.

Ajo thotë se komunikimet janë shpërndarë në media të ndryshme nga i njëjti person që e përndjek atë në platformat sociale, për të cilat është proceduar penalisht.

Llagami përfundon se gjatë gjithë vitive që ka drejtuar KLGJ-në është përpjekur të krijojë një model ndryshe qeverisje të sistemit gjyqësor.

 

Postimi:

Të nderuar miq, kolegë, bashkëpunëtorë, përfaqësues të medias, qytetarë, e ndiej të nevojshme të reagoj sërish ndaj disa artikujve të publikuar ndaj meje.

Në përmbajtjen e tyre janë publikuar komunikime elektronike me znj. Bushka të cilat nuk kanë ndodhur kurrë por janë fabrikuar, fakt që është lehtësisht i verifikueshëm. Ato janë shpërndarë në mënyrë anonime në media të ndryshme, nga i njëjti person që në mënyrë të vazhdueshme vitin e fundit, më ka përndjekur në platformat sociale “Linkedin, Facebook”, duke postuar materiale që cënojnë haptazi dhe rëndë figurën dhe imazhin tim. Ky person ka fabrikuar gjithashtu komunikime imagjinare për ndikime në sistem, për të cilat është proceduar penalisht për “kallëzim të rremë” dhe “falsifikim të dokumenteve”, dhe pezulluar nga KLGJ (gjatë kohës që unë isha kryetare e KLGJ).

Vlerësoj nevojën për të dhënë këtë sqarim, pasi në 5 vjet që kam drejtuar KLGJ, jam përpjekur së bashku me koleget e mi, të krijojmë një model ndryshe qeverisje të sistemit gjyqësor.

Për të gjithë sa sqaroj më sipër, do të ndjek rrugën ligjore.