Vendosni fjalën kyçe....

FSHF prezanton fanellat e reja të Kombëtares për kualifikueset e Botërorit 2026


Federata e Futbollit dhe Macron prezantuan fanellat e reja të Kombëtares Shqiptare për ndeshjet kualifikuese të Botërorit FIFA 2026. Lojtarët, të drejtuar nga trajneri Silvinjo, do t’i veshin ato për herë të parë në ndeshjen kundër Anglisë më 21 mars.

Fanellat janë të dizajnuara me një grafikë të veçantë që përfshin shqiponjën dykrenore si simbol kryesor, dhe elemente natyrore e kulturore të Shqipërisë, si mali, lumi, dielli dhe deti. Kjo shqiponjë mbart edhe traditat historike, si guximin e Skënderbeut, duke pasqyruar krenarinë dhe bashkimin e shqiptarëve.

Fanella e parë është e kuqe, me një shirit kuq e zi në qafë dhe mëngë, dhe grafika karakteristike në pjesën e përparme dhe të pasme.

Fanella e dytë është e bardhë me detaje kuqezi, ndërsa fanella e tretë është e zezë, gjithashtu me detaje kuqezi.

Të gjitha fanellat janë prodhuar me material ekologjik, Eco Fabric, i bërë nga riciklimi i plastikës pas konsumit, duke siguruar lehtësinë dhe frymëmarrjen.

Në pjesën e përparme të fanellës është logoja e FSHF dhe Macron Hero, ndërsa në pjesën e pasme të qafës është e shtypur fjala “SHQIPËRI” dhe shkrimi “Ti Shqipëri, më jep nder”.