Vendosni fjalën kyçe....

Trump kërcënon BE-në me tarifa 200% për verën dhe alkoolin


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar se do të vendosë një tarifë prej 200% për të gjitha verërat dhe pijet alkoolike që vijnë nga Bashkimi Evropian, nëse Brukseli nuk heq tarifën e re mbi uiskin amerikan.

Komisioni Evropian njoftoi të mërkurën se nga muaji i ardhshëm do të vendosë tarifa hakmarrëse mbi mallra amerikane me vlerë 26 miliardë euro (28 miliardë dollarë), si kundërpërgjigje ndaj tarifave të SHBA mbi çelikun dhe aluminin.

Megjithatë, Brukseli theksoi se mbetet i hapur për negociata dhe se rritja e tarifave nuk është në interesin e askujt, përcjell Reuters.

Trump i ngriti tensionet me një postim në rrjetin e tij social Truth Social:

“Bashkimi Evropian, një nga autoritetet më armiqësore dhe abuzive në botë për taksat dhe tarifat, i krijuar vetëm për të përfituar nga Shtetet e Bashkuara, sapo ka vendosur një tarifë të keqe prej 50% mbi uiskin.”

“Nëse kjo tarifë nuk hiqet menjëherë, SHBA shumë shpejt do të vendosë një tarifë prej 200% për të gjitha VERËRAT, SHAMPANJAT dhe PRODUKTET ALKOOLIKE që vijnë nga FRANCË dhe vendet e tjera të BE-së. Kjo do të jetë e shkëlqyer për bizneset e verës dhe shampanjës në SHBA.”

Lajmi çoi në rënie të aksioneve të kompanive evropiane të pijeve alkoolike, ndërsa futures e bursave amerikane gjithashtu shënuan rënie.

Komisioni Evropian ka paralajmëruar se më 1 Prill do të përfundojë pezullimi aktual i tarifave ndaj produkteve amerikane, ndërsa më 13 Prill tarifat do të hyjnë plotësisht në fuqi.