Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti sirian arrin marrëveshjen kyçe me kurdët


Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët dhe të mbështetura nga SHBA-ja, të cilat kontrollojnë pjesën më të madhe të verilindjes së pasur me naftë të Sirisë, nënshkruan një marrëveshje me qeverinë e Damaskut të hënën për t’u bashkuar me institucionet e reja shtetërore, tha të hënën presidenca siriane.

Fotot treguan presidentin e përkohshëm Ahmed al-Sharaa dhe komandantin e SDF-së Mazloum Abdi duke shtrënguar duart në Damask mbi marrëveshjen që parashikon përfshirjen në institucionet civile dhe ushtarake të kontrolluara nga SDF në verilindje të Sirisë.

Marrëveshja vjen në një çast kritik ndërsa Sharaa po përballet me pasojat e vrasjeve masive ndaj anëtarëve të pakicës alavite në Sirinë perëndimore, dhuna që ai tha të hënën kërcënoi përpjekjet e tij për të bashkuar Sirinë pas 14 vitesh lufte.

Në dhjetor, kryengritësit përmbysën regjimin e ish-presidentit Bashar al-Assad, një anëtar i pakicës alavite të vendit, i cili u arratis në Rusi.

Marrëveshja e nënshkruar të hënën kërkon që kalimet kufitare të kontrolluara nga SDF, një aeroport dhe fushat e naftës dhe gazit në Sirinë lindore të bëhen pjesë e administratës së Damaskut.

Në komentin e tij të parë zyrtar pas nënshkrimit të marrëveshjes, Abdi tha në një postim në X se marrëveshja përfaqëson një “mundësi të vërtetë për të ndërtuar një Siri të re”.

Ai tha se SDF po punon së bashku me administratën siriane në “një periudhë kaq kritike” për të garantuar një faze kalimtare që pasqyron aspiratat e popullit sirian për drejtësi dhe qëndrueshmëri.

Zbatimi pritet deri në fund të vitit, por marrëveshja nuk specifikon se si operacioni ushtarak i SDF-së do integrohet në Ministrinë e Mbrojtjes të Sirisë, një pikë e madhe pengese në bisedimet deri tani.

Marrëveshja angazhon gjithashtu SDF-në për të luftuar mbetjet e regjimit të Asadit. Autoritetet e udhëhequra nga qeveria e re në Damask kanë akuzuar besnikët e Assadit për mbjelljen e konflikteve civile në Sirinë perëndimore, raporton Reuters.

Dhuna në perëndim është prova më e madhe e Sharaa që kur mori pushtetin.

“Masakrimet e kanë dobësuar Sharaa-n. Ai ka shumë telashe brenda vendit dhe me Shtetet e Bashkuara. Kjo mund ta ndihmojë atë të tregojë se nuk është armiqësor ndaj të gjitha pakicave,” tha Aron Lund, një bashkëpunëtor në institutin Century International me qendër në SHBA, duke e përshkruar marrëveshjen si të paqartë.

Në një intervistë për Reuters të hënën, Sharaa premtoi se do ndëshkonte përgjegjësit, duke përfshirë edhe aleatët e tij nëse është e nevojshme.

Për Abdi, marrëveshja është një mbrojtje kundër rrezikut të tërheqjes së papritur të forcave amerikane nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të cilat kanë mbështetur SDF-në për më shumë se dhjetë vite për të luftuar Shtetin Islamik në Siri, shtoi Lund.

Abdi kishte dashur që SDF-ja t’i bashkohej Ministrisë së Mbrojtjes si një bllok dhe jo si individë , një ide që qeveria e përkohshme e hodhi poshtë.

SDF ka qenë në konflikt me grupet e armatosura siriane të mbështetura nga Turqia në Sirinë veriore për vite me rradhë, një luftë që ka vijuar që nga rrëzimi i Asadit.

Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm mbi marrëveshjen nga Turqia, e cila është një aleate e ngushtë e Sharaa-s.