Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj: Ky vend ende i mallkon ata që punojnë, do ishte në nderin e SPAK-ut të mos futej në politikë


Erion Veliaj tha mbrëmjen e sotme se Shqipëria është ende një vend që i mallkon ata që punojnë.

I pyetur nëse e kishte takuar të birin, kryebashkiaku i burgosur i Tiranës rrëfeu se nuk ia shpjegon dot atij se në Shqipëri ata që ndërtojnë, rrëzohen, ata që përpiqen, pengohen e ata që ndihmojnë njerëzit në nevojë, luftohen.

“Nuk e kam takuar djalin. Nuk ia shpjegoj dot pa lot në sy e ngashërim se ky vend ende i mallkon ata që punojnë, rrëzon ata që ndërtojnë, pengon ata që përpiqen, lufton atë që ndihmon çdo njeri në nevojë!

Dua që ai të rritet në një Tiranë, të ecë në një shesh Skënderbej, të vrapojë te Parku i Liqenit, të luajë te Parku Rinia, të mësojë te Piramida e të ndihet krenar që i ati dha një dorë për qytetin më dinamik në Europë. Nuk i mbaj dot lotët kur më kujtoni djalin, po e le me kaq. Ajola është lejuar dy herë. Të tjerët asnjë! As drejtuesit fetarë, as kolegët, as miqtë! Shpresoj që Olsi të ndihet burrë i madh dhe trim me këto izolime banale.” – tha Veliaj.

Ai tha më tej se do ishte në nderin e SPAK-ut që të mos futej në politikë ose të bëhej parti politike si Di Pietro në Itali e të kandidonte në zgjedhje.

“Dyshoj që SPAK vuan nga një kompleks për të bërë kandarin, ku çdo palë të goditet, dhe asnjë të mos fitojë pastër e drejtë një shumicë të qartë. Kjo është një përpjekje e kotë. Me ose pa mua në Tiranë, Partia Socialiste dhe Edi Rama do fitojnë bindshëm mandatin për Shqipërinë në Bashkimin Europian. Do qe në nderin e SPAK të mos futej në politikë, ose si Di Pietro në Itali të bëhej parti politike e të kandidonte. Por, me letra anonime dhe tafmanë e Olsit për m2 po humbet imazhin e mirë që e mbështetën të gjithë.” – tha Veliaj në Report Tv.