
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet prej më shumë se dy javësh në qeli, ka reaguar sërish përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai ka akuzuar prokurorin Ols Dado se ka stisur një dosje të rremë kundër tij, duke e përfshirë edhe një leje ndërtimi për një banesë njëkatëshe në Yrshek si pjesë të akuzave për korrupsion.
Ai thekson se për çdo leje ndërtimi, qoftë një shtëpi apo një pallat, ligji kërkon që ndërtimi të bëhet nga një shoqëri e licencuar.
Veliaj shton se familja nga Yrsheku nuk është paraqitur asnjëherë në Bashkinë e Tiranës për këtë çështje, duke hedhur poshtë pretendimet për përfshirjen e tij në korrupsion lidhur me këtë ndërtim.
“Shikojeni pak këtë video për të kuptuar se deri ku shkon fantazia e shfrenuar, prej prokurori ndërtues, e Ols Dados, i cili ka stisur aq shumë në dosjen e rremë kundër meje, saqë më ka faturuar si korrupsion edhe këtë shtëpi modeste 1-katëshe, që një familje e nderuar nga Yrsheku, me kursime e borxhe, ka ndërtuar me dokumentacionin ligjor të dhënë nga shoqëria “Fusha”. Prokurori ndërtues e di shumë mirë që për të aplikuar për leje ndërtimi, si për një shtëpi 1-katëshe, ashtu edhe për një pallat shumë katësh, ligji kërkon që ndërtimi të bëhet nga një shoqeri me licencat përkatëse.
Familja punëtore nga Yrsheku, ndryshe nga prokurori ndërtues, nuk është paraqitur asnjëherë në Bashkinë e Tiranës për t’u interesuar për lejen e ndërtimit dhe ec e merre vesh tani se si paskam bërë unë korrupsion me Fushën, për këtë shtëpi me sipërfaqe 90m2”, shkruan Veliaj.