Vendosni fjalën kyçe....

“SPAK po lëkund epokën e paprekshmërisë, përpjekja për ta nxjerrë si institucion represiv e dështuar” – Dumani


Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, në tryezën e zhvilluar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjen, deklaroi se SPAK ka treguar aftësinë për të kryer hetime të guximshme edhe ndaj zyrtarëve të lartë.

Deklaratat  e kreut të SPAK-ut erdhën pak pasi kryeministri Rama, në një takim paralel me deputetët e PS-së kritikoi SPAK-un e Gjykatën e Posaçme për mungesë standardesh dhe paralajmëroi se nuk do lejojë në Shqipëri drejtësi jakobine e putiniste.

Dumani: Epokës së paprekshmërisë po i vjen fundi

Kreu i SPAK, Altin Dumani, deklaroi gjatë tryezes për drejtësinë se hetimet e institucionit që ai drejton po tregojnë se pandëshkueshmëria po goditet dhe epoka e paprekshmërisë po lëkundet.

“Referuar edhe materialit, konstatohet progres edhe nga SPAK. Ka treguar se është në gjendje në respektim të ligjit dhe Kushtetutës të kryejë hetime të plota dhe tregojnë se pandëshkueshmëria po goditet dhe epoka e paprekshmërisë po lëkundet. Epokës së pandëshkueshmërisë po i vjen fundi.

SPAK intensifikon luftën kundër pastrimit të parave

Dumani theksoi se ka një rritje të ndjeshme të procedimeve për pastrimin e parave dhe se krimi nuk mund të blejë apo shpërblejë askënd. Ai shtoi se bashkëpunimi me Interpol, Europol dhe Eurojust është forcuar.

Po kështu goditja e grupeve kriminale, trafiqeve të drogës dhe krimeve të tjera. Si dhe besimi i partnerëve ndaj SPAK, me mbështetjen e anëtarëve të BE-së, Britaninë, Zvicrën, bashkëpunimi me këto vende është rritur. Edhe në këtë takim ka prani të oficerëve ndërlidhës të këtyre shteteve, i falënderoj për marrëdhëniet konstruktive, bashkëpunimin dhe vijimin.

Marrëdhëniet me Interpol, Europol e Eurojust është forcuar, në goditjen e krimit të organizuar. Po kështu goditja e krimit dhe korrupsioneve të zyrtarëve, sekuestrimi i aseteve financiare e të paluajtshme, përfshi edhe kriptovalutat, që i përdorin për blerje të ndryshme, si të kokainës edhe në pastrimin e parave.” – tha Dumani.

Besimi te reforma në drejtësi po rritet

Sipas Dumanit, lufta ndaj korrupsionit ka hyrë në një fazë të re dhe qytetarët po ndërgjegjësohen se të gjithë janë të barabartë para ligjit. Ai siguroi se asnjë ndikim i jashtëm nuk do të cenojë misionin e SPAK-ut.

“Mesazhi është i qartë se krimi nuk mund të blejë dhe as shpërblejë. Kemi rritje të ndjeshme edhe të procedimit të veprës penale të pastrimit të parave.

Lufta ndaj korrupsionit ndodhet në fazë të re. Besimi te reforma në drejtësi po rritet, qytetarët janë të ndërgjegjshëm se të gjithë vijnë pas ligjit, sfidat vazhdojnë. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit kërkon bashkëpunim ndërinstitucional.

Duhet të keni besim te integriteti i prokurorëve të SPAK, proceseve. Ndikimi i jashtëm nuk do ndikojë në misionin dhe hetimet tona ndaj këtyre proceseve.

E gjej këtë material shumë të dobishëm për institucionin tonë. Statistikat janë problematikë e trashëguar ndër vite, por nga muaji janar po aplikohet sistemi i menaxhimit të çështjeve, me statistika të plota, të qarta, që na ndihmojnë neve dhe të tjerët. Themi se e kemi hedhur një hap përpara, që të kemi statistika të qarta.” 

Ulja e masave të ashpra të sigurisë

Dumani theksoi se ka një trend në rënie të masës “arrest në burg”, e cila është përdorur më së shumti për krimin e organizuar dhe jo për rastet e korrupsionit.

Kreu i SPAK mohoi pretendimet se institucioni është represiv, duke sqaruar se më pak se 9% e të paraburgosurve janë të ndaluar nga SPAK.

“Në çdo masë sigurie që kërkojmë, ne e njohim Kodin e Procedurës Penale. Përpjekja që SPAK që duket si institucion represiv, është tentativë e dështuar.

Në burgje nga ne janë më pak se 9% e të paraburgosurve. Kemi përdorur masa të buta, ‘arresti në burg’ më së shumti për krimin e organizuar, jo për korrupsion. Jemi të kujdesshëm, ka një trend në rënie të masës ‘arrest në burg’.”

Sekuestrime pasurore ndaj zyrtarëve të korruptuar

Dumani u shpreh se më tepër se një pjesë e madhe e pasurive të sekuestruara nga SPAK vijnë nga hetimet ndaj zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre.  Krahas ndjekjes penale, ai shpjegoi se SPAK kryen edhe hetime pasurore për të sekuestruar asetet e përfituara në mënyrë të jashtëligjshme.

“Një pjesë e pasurive të sekuestruara nga ana e SPAK vjen prej hetimit ndaj pasurive të zyrtarëve, zyrtarëve të lartë, që i përkasin subjektit të veprës penale të korrupsionit. Pra përveç hetimit për akuzën, bëhet edhe hetimi pasuror, që krahas dënimit penal të bëhet i mundur edhe hetimi i pasurisë që është vënë në mënyrë të paligjshme, pothuajse për çdo hetim penal. Janë disa milionë euro të sekuestruara nga këto pasuri”, tha Dumani.

Rritja e hetimeve për krimin kibernetik 

Dumani u shpreh se SPAK ka shtura përpjekjet për të gjurmuar dhe sekuestruar asetet e investuara në kriptovaluta, duke goditur skema të fshehjes së gjurmëve të krimit.

Ai foli edhe per një rast të veçantë të hetuar nga SPAK ka çuar në sekuestrimin e 10 milionë eurove të investuara në kriptovaluta nga rrjete kriminale.

“Kemi rritur edhe hetimet për krimin kibernetik dhe kriptomonedhat, kemi bërë sekuestrime, kemi dosje të veçanta si ajo e sekuestrimit të 10 mln eurove në kriptovalutë të sekuestruara në pasuri të investuara.

Pasi tani krimi i organizuar përdor kriptomonedhat për të fshehur gjurmët e krimit. Ngelet shumë për t’u bërë.

Për herë të parë janë hetuar edhe 2 organizata kriminale, në 5 vite punë, janë dy rastet e para, që SPAK procedon organizata kriminale, që është shkalla më e lartë e krimit të organizuar dhe bashkëpunimit të tij, e hetuar kjo në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtarë.

Kemi raste ku kemi gjurmuar shtetas shqiptarë të pasurive të tyre jashtë dhe brenda vendit, në bashkëpunim me partnerët, shqiptarë që i fshehin jashtë apo të huaj që i fshehin në Shqipëri”, u shpreh drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme.

SPAK është institucioni më i monitoruar 

Dumani shpjegoi se SPAK kontrollohet nga disa mekanizma të brendshëm dhe të jashtëm, duke përfshirë prokurorët, BKH dhe administratën, dhe se monitorohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) dhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë (ILD).

Ai u shpreh se vendimet e SPAK kalojnë në filtrat e Gjykatës së Shkallës së Parë, Apelit, Gjykatsë së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese.

“Ne jemi institucioni më i kontrolluar dhe më i monitoruar. Ne kemi një kontroll të brendshëm, për shkak të parashikimit në ligj. Edhe në praktikë, jemi shumë të vëmendshëm edhe karshi çdo shkelje të ligjit nga prokurorët e SPAK, BKH dhe administrata jonë. Ne hetojmë edhe njëri- tjetrin. Ne kontrollohemi nga gjykatat e të gjitha niveleve, shkalla e parë, Apeli, Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese.

Ne kontrollohemi edhe nga KLP. Ne kontrollohemi nga ILD-ja. Siç kontrollohet çdo prokuror i prokurorisë së përgjithshme, kontrollohen edhe prokurorët e SPAK. Ne raportojmë në Kuvend mbi ecurinë e institucionit, duke dhënë një panoramë të plotë të punës 1 vjeçare. Ne propozojmë si mund të zgjidhen problematikat. Kuvendi ka mundësi që të kontrollojë punën e SPAK. Në raportin vjetor që ne bëjmë është edhe si janë përmbushur rekomandimet e Kuvendit. Këtë vit sa i takon miratimit të strategjive, i kemi përmbushur të gjitha rekomandimet. Ne jemi institucioni më i kontrolluar në Republikën e Shqipërisë”.