
Kryeministri Rama e quajti të papërshtatshëm nxitimin për 24 masat e sigurisë ndaj stafit të UBT-së në Kamëz.
Gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar të PS-së, ai foli pas Rektorit Fatbardh Sallaku, duke theksuar se masat e sigurisë mund të dëmtonin bashkëpunimin e UBT-së me universitetin austriak BOKU-s.
“Nuk dua të komentoj drejtësinë por reagimi im lidhet me nxitimin për të dhënë 24 masa sigurie ndaj stafit të Universitetit Bujqësor të Kamzës. Bëhet fjalë për një institucion arsimor i cili është në partneritet me një nga universitetet më të vjetra në botë. Gjëja e parë që më shkoi në mend kur mora lajmin është çfarë do mendojnë partnerët austriakë kur të lexojnë lajmin për 24 masa sigurie ndaj stafit të Universitetit Bujqësor. Gjëja e parë që mua më ka shkuar në mend kur kam marrë këtë lajm, është se çfarë do të mendojnë partnerët austriakë kur ta dëgjojnë 24 veta masë sigurie, një numër marramendës për një çështje që ka dy apo tre vjet dhe që s’ka asnjë lloj flagrance, s’ka asnjë lloj arsyeje për të krijuar këtë goditje për një institucion të arsimit të lartë. Aq më tepër që bëhet fjalë për fonde të kërkimit shkencor, ku nëse ka pasuar abuzime, abuzuesit duhet të përgjigjen deri në fund, por 24 veta në masë sigurie. Kjo besoj është e mjaftueshme sa i përket asaj çfarë tha rektori dhe i gjithë shqetësimi është për të dhënë një mesazh për studentët e partnerët, ndërkohë që drejtësia do bëjë punën e vet, s’ka arsye për të bllokuar punën.” – tha Rama.