
Izraeli tha të dielën se po vononte lirimin e qindra të burgosurve palestinezë që kishte planifikuar t’i lironte një ditë më parë derisa grupi militant Hamas të përmbushte kushtet e tij, duke nënvizuar brishtësinë e marrëveshjes së armëpushimit të Gazës.
Zyra e kryeministrit Netanyahu lëshoi një deklaratë në orët e para të së dielës duke thënë se Izraeli po priste të dorëzonte 620 të burgosurit dhe të paraburgosurit palestinezë “derisa të sigurohet lirimi i pengjeve të radhës dhe pa ceremoni poshtëruese”.
Kjo ishte një referencë për dorëzimet e fundit nga Hamasi që zyrtarët e OKB-së kanë thënë se bien ndesh me ligjin ndërkombëtar sepse ato nuk respektonin të drejtat e pengjeve.
Hamasi ka bërë që pengjet të dalin në skenë para turmave dhe ndonjëherë të flasin para se të dorëzohen. Arkivolet me mbetje pengjesh janë bartur gjithashtu nëpër turma, shkruan Reuters.
Njoftimi i Izraelit, i cili gjithashtu akuzoi Hamasin për shkelje të përsëritur të armëpushimit njëmujor, erdhi pasi grupi militant palestinez të shtunën dorëzoi gjashtë pengje nga Gaza si pjesë e një shkëmbimi të rregulluar sipas armëpushimit.
Gjashtë pengjet e liruar të shtunën ishin robërit e fundit izraelitë të gjallë që do dorëzoheshin gjatë fazës së parë të armëpushimit. Trupat e katër pengjeve të vdekur izraelitë do liroheshin javën e ardhshme.
Nuk ishte e qartë nëse Izraeli donte garanci për atë lirim apo lirime të tjera pengjesh.
Pasi gjashtë pengjet u kthyen në Izrael, Hamasi publikoi një video në të cilën dy pengje të tjerë, Eviatar David dhe Guy Gilboa-Dalal, shiheshin duke parë një nga dorëzimet më herët të shtunën.
Zëdhënësi i Hamasit, Abdul Latif Al-Qanou më herët akuzoi Izraelin për shkelje të armëpushimit pasi të shtunën kaloi pa lirimin e palestinezëve siç ishte planifikuar.
Izraeli dhe Hamasi kanë akuzuar shpesh njëri-tjetrin për shkelje që nga fillimi i armëpushimit më 19 janar, por deri më tani ai ka vijuar të mbahet. Hamasi në një fazë tha se do ndalonte dorëzimin e pengjeve për shkak të shkeljeve të supozuara izraelite.
Izraelitët Eliya Cohen, 27 vjeç, Omer Shem Tov, 22 vjeç dhe OmerWenkert, 23, të gjithë të kapur në sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023 ndaj Izraelit, iu dorëzuan të shtunën në qendër të Gazës Kryqit të Kuq.
Dhjetra militantë qëndruan roje në një turmë që ishte mbledhur për të parë dorëzimin, ndërsa burrat e maskuar të Hamasit të armatosur me pushkë automatike qëndronin në secilën anë të tre burrave, të cilët dukeshin të dobët dhe të zbehtë.
Tal Shoham, 40 vjeç dhe Avera Mengistu, 39 vjeç, u liruan më parë në Gazën jugore.
Hamasi hodhi poshtë kritikat për ngjarjet e dorëzimit të së shtunës, duke i përshkruar ato si një shfaqje solemne të unitetit palestinez. Ajo dorëzoi një peng të gjashtë, Hisham Al-Sayed, një shtetas arab 36-vjeçar i Izraelit, në Kryqin e Kuq në qytetin e Gazës pa një ceremoni publike.
Al-Sayed dhe Mengistu ishin mbajtur nga Hamasi që kur hynë në Gaza me dëshirën e tyre rreth një dekadë më parë. Shoham u rrëmbye nga Kibbutz Be’eri së bashku me gruan dhe dy fëmijët e tij, të cilët u liruan në një armëpushim të shkurtër në nëntor 2023.
Gjashtëdhjetë e tre robër të tjerë, më pak se gjysma e të cilëve besohet se janë gjallë, mbeten në Gaza dhe do të lirohen sipas një marrëveshjeje trefazore të armëpushimit të ndërmjetësuar nga Katari dhe Egjipti.