Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria në Itali nis hetime kundër Donald Trump Jr. për pjesëmarrje në gjueti të paligjshme


Pas një ankese të shoqatave për të drejtat e kafshëve, Prokuroria Publike e Venecias ka nisur një hetim ndaj djalit të presidentit amerikan Donald Trump, Donald Trump Jr., për pjesëmarrje në gjueti të paligjshme në Itali, transmeton Anadolu.

Sipas raportimeve të mediave lokale, Zyra e Prokurorit Publik të Venecias ka nisur një hetim për një turne gjuetie të zhvilluar në dhjetor 2024 në një zonë të mbrojtur në lagunën e Venecias, ku ka marrë pjesë Donald Trump Jr.

Hetimi është nisur pas një ankese nga aktivistët e të drejtave të kafshëve dhe Andrea Zanoni, anëtar i Këshillit Rajonal të Venetos nga Partia Evropiane e Gjelbër.

“Ky është një hap i domosdoshëm. Tani ne duhet të mësojmë se çfarë krimesh janë kryer. Një prej tyre është një vepër penale që lidhet me gjuajtjen e rosës së kuqe, një specie e mbrojtur me direktiva të Bashkimit Evropian. Ka gjithashtu shkelje që lidhen me armët dhe licencat e armëve”, ka thënë Zanoni për agjencinë e lajmeve ANSA.

Platforma “Field Ethos”, e themeluar nga Donald Trump Jr., ngjalli reagime në Itali kur në fillim të këtij muaji publikoi imazhe të një ngjarje gjuetie në të cilën kishte marrë pjesë në rajonin Veneto në dhjetor 2024.

Në pamjet që po hetohen, Trump Jr. shihet duke shfaqur një varg zogjsh të qëlluar, duke përfshirë një rosë të kuqe, një specie e mbrojtur.