Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky vizitë në Turqi, takohet me Erdogan


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka shprehur gatishmërinë e vendit të tij për të ofruar mbështetje në bisedimet për një paqe të qëndrueshme midis Rusisë dhe Ukrainës, raporton Anadolu. 

Erdoğan priti në Ankara homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe në konferencën për media që pasoi, ai tha se Turqia do të ishte një mikpritëse ideale për bisedimet e mundshme midis Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara. 

“Theksova se do të ofrojmë çdo lloj mbështetjeje për të përfunduar procesin e negociatave me një paqe të qëndrueshme”, tha Erdoğan në lidhje me takimin me Zelenskyn. 

Ai shtoi se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, e cila ka shkaktuar vdekjen e shumë njerëzve të pafajshëm dhe shkatërrime të mëdha, duhet të marrë fund sa më shpejt. 

Presidenti turk përsëriti qëndrimin e Ankarasë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, duke theksuar se këto janë parime të panegociueshme për Turqinë. 

Shpresoj që si në bisedimet e ministrit tonë të jashtëm me homologun e tij, ashtu edhe në bisedimet e mia me presidentin rus Vladimir Putin, të mund të gjejmë rrugën drejt paqes dhe të ndërmarrim hapa konkretë”, tha Erdoğan. 

“Paqja nuk ka humbës. Tani e gjithë bota është në pritje të paqes në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës”, shtoi ai. 

Nga ana e tij, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se marrëdhëniet mes Ukrainës dhe Turqisë janë në nivel të lartë, njësoj si gjithmonë.

“Për këtë e falënderoj presidentin Erdoğan dhe popullin turk”, theksoi ai. 

Zelensky tha se Turqia ka mbajtur një qëndrim të qartë dhe të vendosur për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës dhe se Ankaraja ka luajtur një rol të rëndësishëm në lirimin e ushtarëve dhe civilëve ukrainas. 

Sa i përket bisedimeve midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në Arabinë Saudite për luftën në Ukrainë, Zelensky tha se ato ishin një surprizë për Kievin.

 “E mësuam nga mediat”, tha ai.