
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar sot në seancën plenare thirrjen e Ministrit të Brendshëm për sqarime lidhur me situatën e krijuar para SPAK dhe GJKKO gjatë seancës për masën e sigurisë ndaj Erion Veliajt.
Ai nga foltorja e Kuvendit ka kërkuar dorëheqjen dhe shkarkimin e ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha.
Sipas tij, ministri Hoxha dezinformoi publikun duke pretenduar se policia nuk kishte dijeni për tubimin e organizuar.
‘Thërrisni në seancë ministrin e brendshëm që gënjeu publikun dhe Kuvendin në seancën e kaluar se nuk kishte pasur policia dijeni për prezencën e një turme të punonjësish para GJKKO dhe SPAK.
Në mënyrë të pa precedentë policia jo vetëm nuk kishte bërë detyrën por nuk i ishte përgjigjur as thirrjes së Gardës së Republikës.
Ministri jo vetëm duhet të dorëhiqet, por të shkarkohet. Thanë se ishte tubim i krijuar në mënyrë spontane, atëherë është tubim i paligjshëm dhe policia duhet të ndërhyjë që ta shpërndajë turmën.
Por qëllimi ka qenë ti kërcënojë jetën gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nesti Angoni (i referohet Ballukut) ka dy seanca që mungon, nuk e di ku është zhdukur këto ditë’, tha ai.