Vendosni fjalën kyçe....

Guvernatori i BSH: Bujqësia 4 herë më pak e kredituar se bizneset e mëdha


Në një tryezë për “Kreditimin e sektorit bujqësor”, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, theksoi se sektori bujqësor është 4 herë më pak i kredituar se bizneset e mëdha dhe korporatat. Ai njoftoi gjithashtu se BSH ka përgatitur një program financimi për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme, që do të hapë një kapitull të ri për kreditimin e bujqësisë.

Sejko shtoi se shkaktarët kryesorë të kësaj mungese mbështetjeje janë fragmentarizimi i tokës dhe problemet strukturore të sektorit. Megjithatë, ai theksoi rëndësinë strategjike të rritjes së vëmendjes ndaj këtij sektori, pasi kreditimi i tij ka një impakt dy herë më të madh në reduktimin e varfërisë krahasuar me sektorët e tjerë.

“Kredia për sektorin privat u rrit me 16% gjatë 2024, normë e cila nënkupton një rritje prej 110 miliardë lekë në portofolin e kredisë, duke përbërë fluksin kryesor të mbështetjes financiare për ekonominë. Sektori bujqësor ka performacën më të dobët në raport me sektorët madhorë të ekonomisë shqiptare. Shkak janë fragmentarizimi i tokës, niveli i ulët të mekanizimit, integrimi i pakët horizontal dhe vertikal mes fermerëve, tregut dhe sektorëve të tjerë të ekonomisë.

Në të njëjtin plan kredia për sektorin bujqësor përbën me pak se 2% të kredisë bankare për bizneset. Ecuria ende larg dëshirës dhe nevojave që sektori bankar ka për kredi pasqyron si realitetin e rrezikut që mbart kreditimi i këtij sektori si pasojë e natyrës së aktivitetit, problemet e tij strukturore si dhe mungesës së kolateralit si dhe kostot e larta të kreditimit.

Megjithatë, rritja e vëmendjes tuaj ndaj kreditimit të tij është një çështje me rëndësi strategjike

Studimet e kryera në këtë drejtim kanë evidentuar se kreditimi i sektorit bujqësor ka impakt dy herë më të madh në reduktimin e varfërisë, në krahasim me sektorët e tjerë.

Nisma e BSH për vënien në zbatim të një programi financimi të një biznesi mikro të vogël dhe të mesëm afron një mundësi për hapjen e një kapitulli të ri për kreditimin e sektorit bujqësor. Ky sektor është 4 herë më pak i kredituar se biznesi i madh dhe koorporatat. Programi i financimit të biznesit mikro të vogël dhe të mesëm është një hov cilësor për zhvillimin e këtyre bizneseve”, tha Sejko.