Vendosni fjalën kyçe....

Kvaratskhelia konfirmon largimin nga Napoli


Anësori i Napolit, Khvicha Kvaratskhelia (23), ka konfirmuar largimin e tij nga klubi përmes një mesazhi lamtumire të publikuar në rrjetet sociale të enjten, ndërsa ylli i përfaqësueses së Gjeorgjisë pritet t’i bashkohet kampionëve francezë, Paris Saint-Germain.

Trajneri i Napolit, Antonio Conte, deklaroi të shtunën se Kvaratskhelia kishte kërkuar të largohej menjëherë nga klubi i Serie A.

“Është e vështirë për mua, por ka ardhur koha të them lamtumirë” tha Kvaratskhelia në një video të postuar në Instagram.

“Kam kaluar një kohë të mrekullueshme këtu, kemi ndarë shumë kujtime së bashku, kemi përjetuar emocione të pabesueshme. Napoli ishte shtëpia ime, ku u ndjeva i mrekullueshëm falë secilit prej jush.”

Kvaratskhelia iu bashkua Napolit në vitin 2022 dhe u shpall lojtari më i mirë i Serie A në sezonin 2022/23, pasi ndihmoi klubin të fitojë Scudetton e parë pas 33 vitesh, duke shënuar 12 gola dhe dhënë 13 asistime në 34 ndeshje.

“Napoli është një qytet futbolli, Napoli jeton me futbollin, dhe jam i lumtur që isha pjesë e kësaj historie të madhe,” vazhdoi Kvaratskhelia.

“Kam mësuar shumë këtu, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. U rrita si person dhe si lojtar… Dua të falënderoj të gjithë ata që punojnë në klub: trajnerët, secilin anëtar të stafit, shokët e skuadrës dhe tifozët.

“Po largohem, por ju do të jeni gjithmonë në zemrën time dhe shpresoj të takohemi sërish. E di që zemra juaj është shumë e thyer, por një ditë do t’ju tregoj gjithçka.”

Ylli gjeorgjian kishte qenë më parë i lidhur me një transferim te PSG gjatë verës, por qëndroi nën drejtimin e trajnerit të ri, Conte.

Kontrata e tij me Napolin ishte e vlefshme deri në vitin 2027.