Vendosni fjalën kyçe....

Kurti: Ata që flasin për sanksione ndaj Kosovës duhet ta mendojnë më thellë


Kryeministri Albin Kurti i ka quajtur masat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës të gabuara, duke këmbëngulur se qeveria e Kosovës i mbështet kryetarët e zgjedhur në veri.

Në një intervistë për ‘Financial Times’ ai ka theksuar se ata që flasin për sanksione duhet të mendojnë më gjerë, duke shtuar se ajo që duhet sanksionuar është Serbia.

“Ata që po flasin për sanksione ndoshta duhet të mendojnë më gjerë dhe më thellë. Serbia nuk po i vendos sanksione Federatës Ruse dhe po financon këtë milici fashiste në pjesën veriore të shtetit tim, kështu që ndoshta ata duhet të sanksionohen”, ka thënë ai.

SHBA-ja e ka përjashtuar Kosovën nga stërvitjen “Defender Europe 2023”. Duke thënë se veprimet e qeverisë do ndikojnë në marrëdhëniet SHBA-Kosovë, SHBA-ja ka paralajmëruar edhe pasoja të tjera.

Kurti e ka përshkruar SHBA-në si ‘mik dhe partner kyç’ të Kosovës, teksa tha se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me ambasadorin amerikan në Prishtinë.