Vendosni fjalën kyçe....

WSJ i kërkon Biden reagim të ashpër pas arrestimit të gazetarit të saj në Rusi


Arrestimi i një korrespondenti të Wall Street Journal (WSJ) në Rusi me akuza për spiunazh është pengmarrje, tha gazeta amerikane.

Ajo gjithashtu ka akuzuar administratën e Presidentit Joe Biden për shfaqjen e dobësisë përballë ndalimit të gazetarit dhe ka kërkuar veprime të ashpra.

Evan Gershkovich u ‘rrëmbye’ në qytetin rus të Ekaterinburgut nga ‘Byroja famëkeqe Federale e Sigurisë’, tha WSJ të enjten, në një editorial.

Të enjten FSB-ja ruse raportoi se kishte arrestuar Gershkovich pasi ai dyshohet se po përpiqej të merrte informacion sekret në lidhje me një fabrikë të vendosur në Uralet ruse. FSB pretendoi se ai punonte për qeverinë amerikane dhe dyshohej për spiunazh, një krim i dënueshëm me deri në 20 vjet burg sipas ligjit rus.

Gershkovich, tha WSJ, ishte në Ekaterinburg ‘në një udhëtim raportimi’ dhe mohoi akuzat për spiunazh si ‘të dyshimta’.

“FSB mund ta kishte dëbuar shumë kohë më parë nëse do besonte vërtet se ai ishte spiun”, thuhej në shkrim. Incidenti ‘duket si një provokim i llogaritur për të vënë në siklet SHBA-në dhe për të frikësuar shtypin e huaj që ende punon në Rusi’.

Gazeta tha se arrestimi i Gershkovich ishte një përgjigje ruse ndaj akuzave që Departamenti Amerikan i Drejtësisë ngriti në fillim të këtij muaji kundër Sergey Cherkasov, i cili ishte akuzuar si spiun i mundshëm rus nga Holanda në 2022 dhe gjithashtu ishte dënuar nga një gjykatë në Brazili 15 vjet për identifikimin e rremë si shtetas brazilian.

WSJ pretendoi se Kremlini kishte ‘zakon të merrte peng amerikanët’ dhe la të kuptohej se Moska mund të përdorte Gershkovich për një shkëmbim të të burgosurve. Gazeta i kërkoi qeverisë amerikane të vepronte ashpër në përgjigje.

“Administrata Biden do duhet të marrë në konsideratë përshkallëzimin diplomatik dhe politik. Dëbimi i ambasadorit të Rusisë në SHBA, si dhe të gjithë gazetarëve rusë që punojnë këtu, do ishte minimumi që mund të pritej”, thuhet në deklaratë.

Të premten, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e përshkroi si ‘absurde dhe të gabuar’ idenë e dëbimit të gazetarëve rusë nga SHBA. Ai përsëriti se Gershkovich ishte kapur ‘në flagrancë’ duke shkelur ligjet ruse.