Vendosni fjalën kyçe....

Turqia kërkon gaz rus me çmim të ulur – Bloomberg


Ankaraja po kërkon një ulje të çmimit me mbi 25% për gazin natyror rus, raportoi Bloomberg të enjten, duke cituar zyrtarë të lartë turq. Çështja thuhet se do diskutohet të premten gjatë bisedimeve dypalëshe të organizuara nga Turqia.

Sipas zyrtarëve, të cilët folën në kushte anonimiteti, Ankaraja dëshiron që zbritja të zbatohet për pagesat e vitit 2023 dhe për disa pagesa të mëparshme të bëra këtë vit në mënyrë retrospektive. Ankaraja me sa duket do kërkojë shtyrje për pagesat, mundësisht deri në vitin 2024, nëse nuk arrin të sigurojë një ulje në nivelin e dëshiruar.

Rusia furnizoi gati gjysmën e vëllimit total të gazit të importuar të Turqisë vitin e kaluar, i cili thuhet se arrin në 59 miliardë metra kub. Sipas presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, fatura totale e energjisë e vendit për vitin 2022 mund të arrijë në 100 miliardë dollarë, dyfishi i shumës së vitit të kaluar.

Lidhjet ekonomike dhe energjetike midis Rusisë dhe Turqisë janë rritur kohët e fundit pasi Moska kërkon tregje të reja për eksportet e saj mes sanksioneve perëndimore.

Erdogan më herët përshëndeti propozimin e presidentit rus Putin për të krijuar një qendër të shpërndarjes së gazit natyror në Turqi, e cila do t’i lejonte Moskës të ridrejtonte tranzitin larg tubacioneve të dëmtuara të gazit Nord Stream në rajonin e Detit të Zi.

Të dy vendet po punojnë gjithashtu për ndërtimin e një stacioni bërthamor prej 20 miliardë dollarësh në bregdetin e Mesdheut të Turqisë dhe Ankaraja tashmë ka aplikuar në Rosatom për të ndërtuar një reaktor të dytë.