
Kreu i PD-së Berisha akuzoi policinë se ka përdorur ndaj qytetarëe spërkatës me piper që përdoret kundër arinjve.
Pasi vizitoi te Trauma deputetin Boçi dhe ish-kandidatin për deputet Kalaja, kryedemokrati tha se spërkatësi në fjalë mund të shkaktojë vdekjen në raste të veçanta, ndërsa theksoi se përdorimi i tij është vepër penale.
“E pash tha që e morën Klevisin egërsisht falangat e Skënder Ballukut dhe Sokol besëprerit, i cili në vend që të ishte në burg nja 30 vite, për shokun që tradhëtoi dhe që e dogjën në makinë në Qafë-Muzinë, komandon tani policinë. Bombulat e sprait kishin imazhin e ariut. Çka do të thotë se ishte sprai ariu. Sprai i ariut në raste të caktuara është vdekjeprurës. Në rastin e personave që kanë vagotoni të shtuar për shkak të dhimbjeve që mund të reflektohen në zemër me arrest kardiak, në rastin e personave që kanë astmë bronkiale. Pra përdorimi i tij është një vepër e rëndë penale, një vepër që dënohet në konventa dhe absolutisht e ndaluar për përdorim. Janë hedhur nga taracat bomba molotovë mbi protestuesit. Plagosën edhe një polic në kokë me shishe molotov të hedhur nga taraca.
Kanë hedhur granata zhurmuese dhe kanë plagosur te këmbët shumë protestues. Kemi të bëjmë me një skenar shtazërie të vërtetë të Skënder Ballukut, i cili ka marrë përsipër Ramës dhe Lubisë se do ua mbyllë çështjen me qytetarët. Rama-Balluku nuk mbyllet më. Kanë sulmuar edhe gazetarët sot. Kalaja rezulton me kontuzion të indeve të buta në zonën e trurit. Skaneri në stadet e tij të fillimit nuk e zbulon dot. Goditja ka qenë e qëllimshme. I kanë shkuar nga pas dhe e kanë sulmuar. Një strategji që ngjitet në nivelet e akteve terroriste nga Policia. Këta inskenojnë sikur ka policë të plagosur, kur në fakt ata janë shëndoshë e mirë. Pyeta në spital dhe më thanë që policët nuk kanë asgjë”, tha Berisha.