Kryetari i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj, ka depozituar një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Tiranës, duke kërkuar hetimin e dokumentit që, sipas tij, ka shërbyer si bazë për nisjen e procedimit penal ndaj tij.
Sipas reagimit të zyrës së tij ligjore, procedimi penal nr. 27/2024 është bazuar në një dokument të nënshkruar nga një person i vetëquajtur “Nesti Angoni”, i cili – sipas verifikimeve zyrtare të përmendura në kallëzim – nuk rezulton të ekzistojë në regjistrat e gjendjes civile.
Në reagim theksohet se nuk bëhet fjalë për një kallëzim anonim, por për një dokument që paraqitet si i firmosur nga një individ konkret, me qëllim krijimin e një besueshmërie të rreme përpara organit të akuzës. Sipas këtij argumentimi, një veprim i tillë mund të përbëjë falsifikim dhe ndërhyrje në procesin e nisjes së ndjekjes penale.
Veliaj kërkon identifikimin e autorit real që ka hartuar dhe firmosur këtë dokument, si dhe hetimin e çdo përgjegjësie penale që lidhet me përdorimin e një identiteti të rremë për të inicuar çështjen ndaj tij.
Pjesë nga kallëzimi
Në asnjë rast nuk mund të konsiderohet e pranueshme që një procedim penal të vihet në lëvizje mbi bazën e veprimeve që në vetvete paraqesin elementë të një vepre penale. Pranimi i një logjike të tillë do të çonte në legjitimimin e përdorimit të mjeteve të kundërligjshme për të inicuar ndjekje penale, duke deformuar rëndë funksionin e drejtësisë dhe duke cenuar parimet themelore të shtetit të së drejtës.
Një qasje e tillë do të krijonte rrezikun real që mekanizmi penal të përdoret në mënyrë selektive, mbi baza të fabrikuara, thjesht për të justifikuar nisjen e hetimeve ndaj individëve të caktuar. Për rrjedhojë, është thelbësore që çdo procedim penal të mbështetet mbi burime të ligjshme dhe të verifikueshme, dhe jo mbi veprime që, në vetvete, cenojnë ligjin penal. Ndryshe, do të legjitimohej një praktikë e papranueshme, ku vetë shkelja e ligjit penal do të përdorej si mjet për vënien në lëvizje të ndjekjes penale, duke përmbysur logjikën themelore të sistemit të drejtësisë.
Një qasje e tillë do të krijonte rrezikun real që subjektet e ngarkuara me zbatimin e ligjit, në vend që ta garantojnë atë, të përfshihen në shkeljen e tij në mënyrë selektive, me qëllim realizimin e objektivave të paracaktuara, duke cenuar rëndë parimet e shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike.
Për sa më sipër, kërkoj:
i. regjistrimin e procedimit penal për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal si dhe cdo vepër tjetër relevante që del gjatë hetimit.
ii. ii. identifikimin e autorit real që ka hartuar dhe nënshkruar dokumentin “Të dhëna për SPAK”
