Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një reformim rrënjësor të sistemit të pagave dhe pensioneve në vend, duke theksuar se Shqipëria ka hyrë tashmë në një fazë të re të rritjes ekonomike.
Përmes podkastit të tij “Flasim”, kreu i qeverisë bëri të ditur se objektivi kryesor i kësaj faze nuk është vetëm rritja nominale e të ardhurave, por mbi të gjitha mbrojtja e fuqisë blerëse të qytetarëve nga goditjet e çmimeve.
Pas arritjes së pagës minimale prej 500 eurosh, vëmendja do të përqendrohet te sektorët jetikë të shërbimit publik përmes një mekanizmi të ri mbrojtës.
“Një nga ndryshimet kryesore lidhet me sektorin publik, ku do të aplikohet indeksimi i pagave çdo dy vjet, i shoqëruar me mekanizma shtesë për kategori të veçanta si mësuesit, mjekët, infermierët, efektivët e policisë, ushtarakët dhe administrata,” deklaroi Rama, duke shpjeguar se ky indeksim do të shërbejë për të korrigjuar impaktin që ka inflacioni mbi jetesën e këtyre kategorive.
Sektori i shëndetësisë pritet të përfitojë i pari nga ky rivlerësim duke filluar që nga muaji qershor.
Sipas kryeministrit, mjekët e urgjencës do të trajtohen në të njëjtin nivel si kolegët e tyre edhe për sa i përket pagesës së rojeve, duke marrë shtesa mujore që shkojnë deri në 18 mijë lekë, ndërsa infermierët dhe teknikët do të përfitojnë rreth 12 mijë lekë shtesë. Këto masa vijnë si një përpjekje për të rritur dinjitetin e bluzave të bardha dhe për të reflektuar progresin që ka bërë buxheti i shtetit.
Sa i përket pensioneve, Rama prezantoi një skemë ambicioze rritjeje graduale, duke premtuar një cikël rritjeje pesëvjeçar që do të vijojë të përshkallëzohet vit pas viti.
“Përfitimet e rritura këtë vit do të dyfishohen vitin e ardhshëm, do të trefishohen në vitin 2028, katërfishohen në 2029 dhe pesëfishohen deri në vitin 2030,” nënvizoi kreu i ekzekutivit, duke premtuar një mbështetje gjithmonë e më të fortë për moshën e tretë.
Në mbyllje të fjalës së tij, kryeministri bëri të ditur se qeveria po përgatit edhe krijimin e “kolonës së dytë” të pensionit, një model ku kontributet individuale do të dyfishohen nga shteti ose punëdhënësi.
“Ky është një model i bazuar në praktika ndërkombëtare dhe synon të forcojë sistemin aktual, duke ofruar më shumë stabilitet dhe mbështetje për qytetarët në afatgjatë,” përfundoi Rama, duke e cilësuar këtë fond individual si një siguri shtesë financiare për të gjithë kontribuesit.
