
Një ngjarje është regjistruar gjatë orëve të natës në fshatin Dorëz, në Njësinë Administrative Qendër të Librazhdit, ku një bujtinë me konstruksion druri është përfshirë nga flakët, duke pësuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas të dhënave paraprake, Policia është njoftuar rreth orës 22:46 për zjarrin në bujtinën në pronësi të shtetasit Enver Shkurti. Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje janë angazhuar forcat zjarrfikëse, policia si dhe banorë të zonës, të cilët kanë bashkëpunuar për vënien nën kontroll të flakëve.
Në operacionin për shuarjen e zjarrit morën pjesë 12 efektivë zjarrfikës me 2 mjete, të cilët punuan për disa orë në kushte të vështira, deri në neutralizimin e plotë të flakëve rreth orës 03:00 të mëngjesit të 10 prillit 2026.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se shkaku i zjarrit dyshohet të ketë qenë një defekt në rrjetin elektrik të amortizuar, i cili ka favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve, për shkak edhe të konstruksionit prej druri të objektit.
Si pasojë e zjarrit janë djegur rreth 80 metra katrorë sipërfaqe, përfshirë ambientet e kuzhinës, dhomës së gjumit dhe tualetit. Objekti përdorej për aktivitet turistik.
Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.