
Katër astronautët e misionit NASA kanë përfunduar me sukses udhëtimin historik rreth Hënës, duke realizuar rikthimin e parë të njerëzimit në këtë trajektore pas më shumë se gjysmë shekulli, përcjell Euronews.
Kapsula Orion u ul në Oqeanin Paqësor, pranë brigjeve të Kalifornisë, duke shënuar finalen e një misioni që vendos bazat për një ulje në Hënë brenda dy viteve të ardhshme dhe ndërtimin e një baze hënore brenda dekadës.
Ekuipazhi përbëhej nga komandanti Reid Wiseman, piloti Victor Glover, specialistja Christina Koch dhe astronauti kanadez Jeremy Hansen.
Misioni shënoi disa arritje historike: Koch u bë gruaja e parë që udhëton drejt Hënës, Glover astronauti i parë me ngjyrë në një mision të tillë, ndërsa Hansen qytetari i parë jo-amerikan që merr pjesë në një fluturim hënor.
Gjatë udhëtimit, ekuipazhi arriti një distancë rekord prej mbi 406 mijë kilometrash nga Toka, duke tejkaluar edhe rekordet e misioneve të programit Apollo.
Astronautët dokumentuan pamje të rralla të anës së largët të Hënës, të padukshme më parë për syrin e njeriut, si dhe përjetuan një eklips total diellor, ndër momentet më mbresëlënëse të misionit.
Rihyrja në atmosferë u realizua me një shpejtësi ekstreme, rreth 33 herë më e madhe se ajo e zërit, ndërsa kapsula përballoi temperatura shumë të larta gjatë fazës kritike.
Ky mision konsiderohet një hap vendimtar për rikthimin e njerëzimit në Hënë dhe për ambiciet afatgjata të eksplorimit hapësinor.