Një rritje e ndjeshme e tensioneve është shënuar këtë të premte në veri të Izraelit, ku një raketë e lëshuar nga Hezbollahu ka goditur një shkollë në qytetin arab Deir al-Asad.
Edhe pse mbrojtja ajrore arriti të kapte pesë raketa mbi qytetin e afërt Karmiel, njëra prej tyre shkaktoi dëme materiale në institucionin arsimor, fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar.
Gjatë gjithë ditës, sirenat e alarmit kanë rënë pa pushim në zonat kufitare me Libanin, duke detyruar banorët të qëndrojnë në strehime, sipas Ynet.
Përveç shkollës, një raketë tjetër goditi drejtpërdrejt një shtëpi në Kibbutz Misgav Am, ku një grua e moshuar pësoi gjendje shoku, por i mbijetoi goditjes.
Në Metula, raketat dëmtuan linjat e tensionit të lartë, duke lënë qytetin pa energji elektrike dhe duke shkaktuar zjarre në zonë.
Asaf Langleben, kreu i Këshillit Rajonal të Galilesë së Epërme, bëri një thirrje dramatike nga rrënojat e shtëpisë së goditur në Misgav Am.
“Këtu nuk ka armëpushim, këtu ka luftë. Ju mund ta shihni dëmin e shkaktuar në një apartament ku jetojnë njerëz. Kryeministër, duhet të hiqni kërcënimin nga veriu tani, jo më vonë,” deklaroi ai, duke iu referuar bisedimeve diplomatike që po zhvillohen paralelisht.
Ushtria izraelite ka konfirmuar se kufizimet e Komandës së Frontit të Brendshëm do të mbeten në fuqi deri të shtunën mbrëma, duke lejuar aktivitetet arsimore vetëm në hapësira të mbrojtura dhe duke kufizuar grumbullimet e njerëzve.
Shefi i Shtabit të IDF-së, Lt. Gen. Eyal Zamir, vizitoi trupat në jug të Libanit, duke theksuar se ky mbetet teatri kryesor i operacioneve ushtarake. “IDF është në gjendje lufte. Ne nuk jemi në armëpushim në këtë sektor. Këtu po vazhdojmë të luftojmë për të larguar kërcënimin e drejtpërdrejtë ndaj komuniteteve tona,” u shpreh Zamir.
Ai shtoi se ndërsa me Iranin ka një armëpushim, ushtria është gati të rikthehet në luftime atje në çdo moment me fuqi të madhe.
Ndërkohë, ushtria publikoi pamje të sulmeve ajrore ndaj celulave të Hezbollahut dhe platformave të lëshimit të raketave në jug të Libanit, duke pretenduar se grupi terrorist është në gjendje shoku pas goditjeve të fundit në Bejrut dhe në luginën Bekaa.
Një raketë e lëshuar para agimit arriti të aktivizonte sirenat deri në jug të Ashdodit, por u asgjësua nga mbrojtja ajrore pa shkaktuar viktima. Situata mbetet tejet e paqëndrueshme, ndërsa forcat izraelite po thellojnë operacionet e tyre në zonën e Bint Jbeil.
