Presidenti Donald Trump ka dhënë detaje të reja mbi marrëveshjen e armëpushimit me Iranin, duke deklaruar se SHBA do të bashkëpunojë ngushtë me Teheranin për të çmontuar plotësisht programin e tyre bërthamor.
Përmes një postimi në “Truth Social”, Trump konfirmoi se nuk do të lejohet më pasurimi i uraniumit dhe se forcat amerikane do të asistojnë në nxjerrjen e materialeve bërthamore të groposura nëntokë.
“Shtetet e Bashkuara do të punojnë ngushtë me Iranin, për të cilin kemi përcaktuar se ka kaluar përmes asaj që do të jetë një ‘Ndryshim Regjimi’ shumë produktiv! Do të gërmojmë dhe largojmë të gjithë ‘pluhurin’ bërthamor të groposur thellë,” — shkroi Trump, duke shtuar se objektet janë nën vëzhgim të rreptë satelitor nga “Space Force”.
Trump bëri me dije se Irani ka dorëzuar një propozim me 10 pika, të cilin ai e konsideron si një bazë të mirë për të punuar, ndërsa nga plani amerikan me 15 pika, pjesa dërrmuese është rënë dakord.
Negociatat zyrtare pritet të nisin këtë të premte në Pakistan, ku do të diskutohet lehtësimi i sanksioneve dhe tarifave në shkëmbim të çarmatimit.
Kërcënimi i hapur: Tarifa 50% për armët
Megjithëse shpalli armëpushimin, Trump nuk i ka kursyer paralajmërimet e forta.
Ai njoftoi se do të vendosë tarifa “të menjëhershme” prej 50% për çdo vend që guxon t’i dërgojë armë ushtarake Iranit.
“Nuk do të ketë asnjë përjashtim!” — theksoi ai, duke treguar se kontrolli mbi Teheranin do të jetë total.
Një armëpushim me “gishtin te këmbëza”
Armëpushimi dymujor, i cili skadon më 22 prill (në Ditën e Pavarësisë së Izraelit), nuk do të thotë tërheqje e SHBA-së.
Presidenti u shpreh se prania ushtarake në rajon mbetet e fuqishme dhe se luftimet mund të rifillojnë “shumë shpejt dhe shumë lehtë” nëse Irani nuk u përmbahet kushteve.
“Nëse nuk është mirë — do t’i kthehemi luftës shumë shpejt,” — paralajmëroi Trump në një intervistë për Sky News, duke lënë të kuptohet se ky është shansi i fundit për Teheranin përpara një asgjësimi të plotë të infrastrukturës së tij civile dhe ushtarake.
