Gjatë një konference për mediat këtë të mërkurë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë, duke e bërë korrupsionin në nivele të larta përgjegjës për dështimin e Shqipërisë në proceset ndërkombëtare të vlerësimit.
Berisha u fokusua veçanërisht te procesi i IBAR, ku sipas tij, Shqipëria ka “mbetur në klasë” për shkak të mungesës së shtetit ligjor.
“Procesi i vlerësimit të IBAR mbeti në klasë edhe dje. Këshilli i ambasadorëve që shqyrton këtë raport konstaton se çdo javë shtohen vendet që e kundërshtojnë Shqipërinë. Për shkak të vjedhjeve të Ramës dhe drejtuesve të AKSHI-t, vendi ynë po veçohet negativisht,” — deklaroi Berisha.
Lideri i opozitës u ndal edhe te zhvillimet në sistemin e drejtësisë, duke denoncuar një vendim që pritet të merret, i cili sipas tij mundëson lirimin e personave në paraburgim që nuk kanë një vendim të prerë.
“Ky është ‘vendimi Veliaj’, por nga ky vendim përfitojnë me dhjetëra bosë të drogës dhe krerë të organizatave kriminale. Ky është një akt që kërcënon sigurinë e Shqipërisë dhe të vendeve të rajonit,” — nënvizoi kreu i demokratëve, duke shtuar se për këto lëvizje nuk ka asnjë transparencë.
Në përfundim të fjalës së tij, Berisha iu drejtua të gjithë shqiptarëve me një thirrje për bashkim në protestën e paralajmëruar për javën e ardhshme.
“Data 17 është dita e të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga bindjet politike. Më 17 prill të gjithë në shesh për të ndalur këtë rrokullisje të shtetit ligjor dhe gllabërimin e pasurisë publike,” — përfundoi Berisha.
Lideri i opozitës e cilësoi protestën e 17 prillit si një moment deçiziv për qytetarët, përballë asaj që ai e quan “kapje të institucioneve” nga ana e mazhorancës aktuale.
